Letër Bacit, në 21 vjetorin e rënies!
Shkruan: Basri Shala – Virusi
Letër Bacit, në 21 vjetorin e rënies!
Mendja sdo ta merrte deri ku ka shkuar marrëzia o Bac!
S’kanë lënë asnjë vend pa ta përmendur emrin.
Edhe sot e nesër prej gjithë atyre që vijnë te varri yt, ka shumë prej tyre që nuk vijnë për respekt, por me mendjen si të përfitojnë o Bac.
Bac, duke u thirrë në emrin e me fotografi tua, e kanë shkatërruar të ardhmen e shtetit tonë, që Ju me gjithë familje jeni faruar për të.
E tash së fundi, duke publiku (postu) fotografi me ty o Bac, ata e kanë rregulluar jetën për vete dhe familjet e veta, e neve na kanë izolu.
Bac, veç ne kemi mbetur pa viza, edhe këtu janë ata që duke postu foto të kohës Tuaj, na kanë ‘mshele si dhentë në torishtë’.
Ylymaja Bac, që kanë dalë në ‘syreta’ me ty, e që thirren në idealet tuaja, kanë pasaporta të shteteve tjera o Bac, edhe femijët po i rrisin e po i shkollojnë jashtë Kosovës.
Spitalet për neve janë si më keq o Bac, e Ylymaja shërohen jashtë Kosovës.
Shkollat Bac, janë mizerje. Edhe pse për kokë banori Bac, jemi të parët me grada shkencore, por shumica e tyre janë analfabetë.
Bac, deri vonë as ushtri tamam nuk bëmë, por ajo tash ka themelet e forta dhe po ndërtohet çdo ditë.
Deri sot shtetin tonë na e kanë njohur 116 shtete të botës, por Bac, ne ende se njohim shtetin tonë!
Bac, Kosova ka medalje olimpike, jemi prezantuar edhe në Oscar, Bafta, e gjithë anët e botës.
Bac, e kemi edhe kombetarën në futboll, e tash me datën 21, kombëtarja e Kosovës luan kundër Danimarkes, e me 25 e presim Bullgarinë.
O Bac, sa të mirë që janë lojtarët. Zemra mal kur po i shohim, por disa patriotë Bac nuk i njohin dhe nuk gëzohen as për këtë.
Bac, falna ne të gjithëve, e më fal edhe mua se pata dëshirë të shkruaj edhe për shumë gjera tjera, por tash nuk lexojmë gjatë, e frikohem se më shkojnë dëm edhe këta pak rreshta.
Edhe një herë – Na fal Bac!
P.S
Këta rreshta janë shkruar në vitin 2017. Po botohen tani në këtë përvjetor të Jasharajve pasi gjendja është thuajse e njëjtë si para 2 vitesh.