Lëshimi i certifikatave për veteranë, Prokuroria s’tregon nëse ka filluar hetimi
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK), ka ditë që përmes një reagimi ka shprehur shqetësimin për keqpërdorimin e vazhdueshëm të statusit të veteranit të luftës së UÇK-së.
Në reagimin e OVL- UÇK-së ishte thënë se që nga koha e marrjes së materialeve nga Prokuroria, ka pasur dhe ka indikacione nga terreni se janë lëshuar dhe po lëshohen edhe më tutje certifikata të reja të statusit të veteranit.
Ndërsa, tashmë kur listat e veteranëve të rrejshëm janë nën “llupën”, e Prokurorisë Speciale dhe kjo e fundit ka ngritur një aktakuzë më 14 shtator të vitit 2018, kundër 12 personave, për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët ” në drejtim të veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, në Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, thonë se nuk kanë bërë ndonjë ankesë në prokurori për tashmë siç kanë deklaruar që po vazhdojnë të lëshohen certifikata të reja të veteranëve, shkruan FaktePlus.
E, në këtë rast janë të akuzuar Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaga, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka thënë për FaktePlus, se nuk janë ankuar në prokurori, pasi që tashmë reagimi i tyre është publik dhe nuk e kanë parë të nevojshme.
“Ne në prokurori nuk jemi ankuar. Prokuroria duhet me i hetu këto raste, por ne kemi informacione në bazë të terrenit që kanë lëshu certifikata në regjione të ndryshme edhe në këtë rast nuk e kemi lajmëru Prokurorinë, sepse Prokuroria tashmë e di këtë punë sepse ne e kemi bërë publike këtë. Kështu që nuk e dimë a është duke e hetuar Prokuroria këtë rast apo jo”, ka thënë ai.
Ndërsa, i pyetur se sa mund të ndikojë negativisht në hetimet e prokurorisë lëshimi i certifikatave të reja, Gucati ka pranuar që një gjë e tillë mund të ndikojë jo mirë, duke mos dashur të flasë më shumë.
“Është fakt që ka me ndiku negativisht sepse nuk është dashtë me ndodhë. Gjykatat veç kanë filluar me seanca e që janë mbajt dy. Për ne kjo është e papranueshme si organizatë e veteranëve sepse listat janë të fryra dhe këtë e di edhe Qeveria, edhe institucionet e vendit edhe komandantët. Ne ju kemi bërë apel dhe ju kemi thënë boll me këto shkelje ligjore dhe shkelje ndaj statusit të veteranëve të luftës”, ka pohuar Gucati.
Ndërsa, nga Zyra e Kryeministrit ditë më parë për FaktePlus kanë deklaruar se nuk janë duke lëshuar certifikata të reja për veteran.
Drejtor i Zyrës për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (ZÇKL), Gazmend Syla ka demantuar deklaratat e OVL të UÇK-së, duke thënë se të gjitha përgjegjësitë janë të përcaktuara në nenin 17 të Ligjit nr 04/L-54.
“Përgjegjësitë e Zyrës për Çështjet e Kategorive të dala nga lufta janë të përcaktuara në nenin 17 të Ligjit nr. 04/L-054; dhe ajo nuk ka të drejtë të lëshojë certifikata apo vërtetime të cilat nuk janë në përputhje me klasifikimin e kryer nga Komisioni. Komisioni, pjesë e të cilit unë nuk kam qenë fare, nuk ka më mandat, që nga janari 2017, ndërkohë që tërë arkivi gjendet në Prokurorinë e Shtetit për interes të hetimeve”, ka thënë ai për FaktePlus.
Ndërkohë FaktePlus ka kërkuar përgjigje edhe nga Prokuroria Speciale se a janë në dijeni për këtë çështje, por të njëjtit nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje.
Zëdhënësi i Prokurorisë, Ekrem Lutfiu pa dashur të flas për këtë, ka thënë se tashmë kjo e fundit e ka ngritur një aktakuzë.
“Ne e kemi ngrit një aktakuzë, por të shoh se çfarë mund të bëjë për pyetjet tuaja”, ka thënë shkurt Lutfiu.
Verifikimi i ish- pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka filluar tek në vitin 2014, 14 vite pas luftës.
Ndërsa, një vit pas më 2015 statusin e veteranit e kishin fituar rreth 28 mijë persona.
Kurse, fryrja e listave ndodhi mes viteve 2016-2017, ku nga 28 mijë numri i tyre arriti në 46 mijë veteran.
Bazuar në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, për vitin 2017 pensione kanë marrë 36 mijë e 32 veteranë. Kurse sipas Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, pensionin e veteranit janë duke e marrë 39 mijë e 916./FaktePlus