Lekaj: Kurti vetëm po merr vendime të copëtuara nga ato të Haradinajt, e ka turpëruar Kosovën
Vendimi i mbrëmshëm i Qeverisë në detyrë për shtimin e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë, është komentuar edhe AAK-ja e Ramush Haradinajt, i cili si kryeministër kishte venë taksen 100% ndaj mallrave serbe, që Kurti e hoqi më 31 mars të këtij viti.
Nënkryetari i AAK-së dhe njëherësh deputet i kësaj paritë, Pal Lekaj, në një bisedë për ‘Reporteri.net’ thotë se masat e reja ndaj Serbisë nuk janë asgjë më shumë se sa masa gjysmake të copëtuara nga vendimi ish-Kryeministrit Haradinaj, që kishte vënë taksë 100% ndaj mallrave serbe.
Lekaj, duke i quajtur ‘melodramë’ veprimet e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, ndaj shtetit serb, i kujton atij se si ka pranuar nga Serbia testet për COVID-19 dhe hyrjen e mjekëve serbë në territorin e Kosovës.
“Melodrama e Kurtit me masat gjysmake por të copëtuara nga vendimi i Haradinajt për taksën 100% e ka shndërruar Kosovën në shtet që s’mundet e s’di si të zbatojë vendimet sovrane. Turpërimi që po ja ka bën ai Kosovës me pranimin e testeve për COVID-19 dhe “ndihma” nga qindra mjek serbe që hyrën në Kosovë pa plotësuar asnjë kriter do t’i mbetet Kurtit njollë e zezë e përhershme në aspektin politik dhe kombëtar”, tha Lekaj.
Kjo sipas deputetit të AAK-së, mund të dëmtojë edhe më tutje marrëdhëniet e vendit me SHBA-të.
“Heqja e taksës pa kushte dhe tani kinse vendosja e reciprocitetit s’është gjë tjetër veç mashtrimi i tij i fundit dhe avancimi i ti për të dëmtuar aleancën tonë me Amerikën dhe interesat tona të përbashkëta”.