LDK tregon a do të japë votën për Ushtrinë e Kosovës
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) si subjekt politik dhe gjithë deputetët e saj do të mbështesin formimin e Ushtrisë së Kosovës në seancën e së premtes që do të mbahet në Kuvendin e Kosovës.
Këtë qëndrim të LDK-së e dha shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie Avdullah Hoti gjatë një konference për media.
“LDK do ta mbështesë formimin e Ushtrisë së Kosovës në seancën e së premtes. Ne shprehim falënderimin tonë për SHBA-në dhe të tjerët qe kanë mbështetur këtë vendim. Të gjitha komunitetet duhet të ndihen të sigurt se ushtria do të jetë siguri për të gjithë”, tha Hoti.
I pyetur për dialogun, Hoti tha se duhet legjitimitet qytetar të institucioneve për ta udhëhequr këtë proces ndër me të rëndësishmin për vendin.
“Procesi i dialogut me Serbinë është më i rëndësishëm. Dialogu duhet të udhëhiqet nga institucione legjitime. Kemi parë nisma këto ditë. Platformë e dialogut është Kushtetuta. Duhet legjitimitet qytetar për të marrë përsipër”, theksoi ai.
Shefi i deputetëve të LDK-së shtoi se është pikërisht kryeministri Ramush Haradinaj ai që e ka humbur rastin për liberalizim të vizave, duke bllokuar ratifikimin e demarkacionit me hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend./FaktePlus