LDK pret pushtetin deri të premten për harmonizim
Lidhja Demokratike e Kosovës është në pritje deri në fund të kësaj jave për propozimet e partive në pushtet lidhur me propozim-rezolutën për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Në të kundërtën, kjo parti opozitare thotë se do të insistojë që të premten të futet sërish në rend dite për votim rezoluta.
Grupet parlamentare ka më shumë se një javë që deklaruan se do të përpiqen të harmonizojnë tekstin e rezolutës, por ende nuk është mbajtur ndonjë takim për të dhënë propozimet e tyre rreth plotësimit të propozim-rezolutës.
Rezoluta e propozuar nga partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, kërkon që presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi të mos i lejohet të negociojë me Serbinë çështjen e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve.
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj i ka thënë Agjencisë së Lajmeve FaktePlus se është shpërndarë propozim-rezoluta dhe kërkesa që të ketë propozime mbi bazën e asaj që është zhvilluar debati mbi bazën e të cilit kanë ardhur propozime në ditën e sponsorizimit të rezolutës.
“Mendojmë dhe shpresojmë që këto dy tri ditë do të kemi përgjigje eventuale, nëse jo atëherë do të shqyrtohet që me datën 16 kur do ta kemi seancën e jashtëzakonshme të insistojmë që paraprakisht kryesia të takohet dhe ta caktojë njërën ndër pikat e votimit edhe çështjen e rezolutës”, ka thënë Zemaj për FaktePlus.
Megjithkëtë, subjektet politike mbesin në qëndrimet fillestare. Së paku zyrtarët nga LDK-ja thonë se nuk do të pranojnë asnjë propozim që e humb subjektin e pikës së vetme tashmë të propozuar nga ta.
“Baza kryesore është pika e rezolutës, pra gjithçka çka lidhet me bazën pa e humbur edhe kualitetin, edhe subjektin e propozimit, është e pranueshme. Për ndryshe tjerat janë të papranueshme nëse shohim lojëra apo diçka të tillë që mund të ketë anashkalim apo edhe njëfarë lloj eliminimi të subjektit për çka është thirrur seanca”, u shpreh Zemaj.
Deputeti i LDK-së e quan nevojë të domosdoshme dhe emergjente votimin e propozim-rezolutës, sepse kështu Kuvendi e thotë fjalën e vet kundër shkëmbimit dhe korrigjimit të kufirit.
Megjithatë, ai nuk sheh vonesa në miratimin e kësaj propozim-rezolute.
“Jo, nuk ka vonesë, sepse nuk ka diçka që neve na detyron apo që në fund të fundit fjala e Kuvendit është vendimtare. Por, sido që të jetë, ne po kërkojmë që fjala e Kuvendit të jetë sa më shumë unike dhe të jetë më me peshë në raport me ata që pretendojnë një gjë të tillë, por mbi të gjitha edhe në raport të seriozitetit para bashkësisë ndërkombëtare”, theksoi ai.
Kurse zyrtarë e deputetë nga partitë në pushtet kanë tjetër version për këtë çështje.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi thotë se ende nuk janë ftuar nga LDK-ja që të takohen dhe të japin propozimet e tyre për ta plotësuar këtë propozim-rezolutë.
“Ne kemi theksuar edhe në takimin që kemi pasur me opozitën që kurdo që janë të gatshëm që ta harmonizojmë ne jemi për, për shkak se është interes i vendit dhe po ashtu ka nevojë Kosova të ketë një rezolutë nga e cila nxjerrët platforma dhe ekipi që do të bisedojë në takimet mes Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, varet nga opozita, nga LDK-ja e cila është iniciuese e rezolutës. Mirëpo, ende nuk kanë ftuar, por ne jemi të gatshëm kurdo që na ftojnë”, tha Isufi.
Në fillim të këtij muaji ishte zhvilluar një debat i gjatë në Kuvendin e Kosovës, që kishte shkaktuar përplasje mes pozitës dhe opozitës. Por në fund nuk ishte arritur që propozim-rezoluta të miratohej për shkak të mungesës së kuorumit për vendimmarrje, meqë deputetët e pozitës nuk votonin.
Ndërsa, kjo propozim-rezolutë ishte paraparë për votim në seancën e 7 nëntorit, por që ishte hequr nga rendi i ditës me kërkesë të vet propozuesit, LDK-së dhe tani është në pritje të harmonizimit./Beadin Syla – FaktePlus