LDK përmbyllë fushatën në Gjilan, Osmani thotë të hënën zgjohen me fitoren e tyre
Para mijëra qytetarëve në Gjilan, në tubimin përmbyllës të fushatës së LDK-së, kandidatja për kryeministre, Vjosa Osmani tha të premten se Kosova ka vendosur ta lidhë fatin e vet politik me LDK-në, prandaj me fitoren në zgjedhje, të hënën të gjithë qytetarët e Kosovës do të zgjohen të lirë dhe të barabartë në shtetin që ata meritojnë.
“Së bashku do ta bëjmë shtetin tonë të lirë dhe të barabartë për të gjithë, një shtet të zhvilluar ekonomikisht, ku fëmijët, të rinjtë, prindërit dhe të moshuarit e gjejnë perspektivën e tyre, në një shtet që është pjesë e familjes euroatlantike”, tha Osmani.
Duke folur për fushatën zgjedhore ajo tha se gjatë tubimeve në të gjitha qytetet e Kosovës, ka vërejtur një mobilizim të madh dhe rilindje të frymës rugoviane, asaj fryme qytetare dhe atdhetare.
Nënkryetarja e partisë dhe kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, tha se qytetarët janë të lodhur nga mungesa e lirë, pabarazia dhe mungesa e përkrahjes.
“Të gjithë qytetarët janë për rikthimin e shpresës, prandaj me fitoren në zgjedhje, tash e tutje do t’ju udhëheqin njerëz me duar të pastra që nuk dorëzohen kurrë para sfidave”, shtoi Vjosa Osmani.
Ajo pohoi se ka takuar nëna, të cilat i kanë kërkuar perspektivë për fëmijët e tyre.
“Kam parë të rinj që kanë hezitime për të vazhduar jetën në Kosovë. Kam parë bujq të dëshpëruar që dikush tjetër është pasuruar në emër të tyre. Kam takuar punëtorë që punojnë 12 orë dhe shtatë ditë në javë pa pushim. Kam parë ndërmarrës që janë në hall nga ata që ju kërkojnë përqindje. Për të gjithë këta shpresa e vetme është fitorja e LDK-së në zgjedhje dhe jetësimi i programit nga njerëz me duar të pastra që e duan me të vërtetë shtetin e tyre”, tha Osmani. /FaktePlus