LDK nuk heq dorë nga rezoluta, kërkon që territori të mos dialogohet
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka proceduar sërish në Kryesinë e Kuvendit projekt-rezolutën e cila e ka vetëm një pikë, që territori i Kosovës të mos jetë pjesë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
LDK po pret që në ndonjërën nga mbledhjet e saj, Kryesia ta fus në rend dite për votim propozim rezolutën e saj.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se nuk do të heqin dorë për miratimin e rezolutës.
“Është në pritje të seancës, rezoluta është dorëzuar në Kuvend dhe është në mesin e plotë pikave në Kuvendin e Kosovës që presin për votim”, tha Hoti.
Megjithkëtë, shefi i deputetëve të LDK-së theksoi se në fillim kanë pasur përkrahjen e dy partive në pushtet, AAK-së e Nismës Socialdemokrate, porse si duket ata janë tërhequr pasi janë kërcënuar për pozitat e tyre në Qeveri.
“Ju e dini si janë zhvilluar ngjarjet qysh në shtator për këtë çështje. Ka pasur një dakordim për këtë çështje publikisht, në bazë të deklarimeve publike të Nismës Socialdemokrate dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për të mbështetur atë rezolutë me vetëm një pikë që thoshte se territori i Kosovës nuk duhet të jetë pjesë e dialogut me Serbinë. Por, në momentin e fundit Nisma dhe AAK si duket të kërcënuara për pozitat e tyre në Qeveri u tërhoqën”, theksoi Hoti për FaktePlus.
Shoqëria civile thotë se nismat e opozitës kanë mbetur peng si pasojë e mos përkrahjes së PDK-së, e cila nuk dëshiron që ish- kreun e saj Hashim Thaçi ta lë jashtë dialogut.
Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë për FaktePlus se PDK-ja nuk dëshiron të ketë rezolutë dhe projektligj për dialogun që t’ia kufizojë rolin presidentit Thaçi.
“Projektrezoluta e fundit e PSD-së është përkrahur edhe nga AAK dhe NISMA. Kjo iniciativë për momentin ka ngecur për shkak të hezitimit të PDK-së për të përkrahur këtë projekt rezolutë, kjo me gjasë për shkak të ndikimit të presidentit Thaçi në këtë parti, i cili nuk po dëshiron që të ketë një rezolutë të Kuvendit si dhe një ligj që mund të ia kufizojë atij mundësinë për të hedhur në tavolinën e dialogut çështjen e paralajmëruar të korrigjimit të kufijve”, tha Haxholli.
Përveç rezolutës së propozuar nga LDK-ja, javën që shkoi Partia Socialdemokrate e Kosovës, propozoi miratimin e një rezolute për dialogun bashkë me një projektligj që ia heq presidentit Hashim Thaçi rolin në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Kujtojmë se asnjë nga rezolutat e shumta të opozitës nuk po arrijnë të kalojnë në Kuvendin e Kosovës dhe kjo për faktin se jo vetëm partitë e koalicionit qeveritar, por edhe subjektet opozitare nuk po i japin njëra tjetrës votat për rezolutat e propozuara./B.S -FaktePlus