LDK-ja mes përçarjes dhe fitores
Lidhja Demokratike e Kosovës ka hyrë në një fazë të nxehtë të procesit të brendshëm zgjedhor, në fund të së cilit do t’i zgjedh organet e reja drejtuese. Tashmë disa kandidatë kanë shprehur hapur ambiciet për ta marrë drejtimin e partisë me të vjetër në Kosovë. Lutfi Haziri, Fatmir Sejdiu, Vjosa Osmani, si dhe kryetari aktual Isa Mustafa, kanë dhënë shenja se do të tentojnë ta fitojnë besimin e delegatëve në Kuvendin, i cili pritet të mbahet në fund të muajit maj.
Qysh tash edhe kanë filluar tensionet mes këtyre kandidatëve të cilët po e gjuajnë njëri tjetrin me deklarata që mund të qojnë sërish në një “Kuvend të karrigeve” sikurse ai i vitit 2006.
Por, analistët politik po e shohin të hershëm shpalljen e kandidaturave në kohën kur ende nuk janë zgjedhur as kryetarët e degëve dhe delegatët që do t’i përfaqësojnë degët në Kuvendin e përgjithshëm zgjedhor.
Pikërisht për këtë, analisti politik, Ramush Tahiri, thotë se duhet pritur zgjedhja e organeve nëpër degë dhe pastaj të shihet nëse do të ketë apo jo kushte për kandidatët që dëshirojnë të kandidojnë për të marrë timonin e LDK-së.
Tahiri ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se krejt suksesi dhe dalja më e fortë e LDK-së nga zgjedhjet e brendshme, apo një përçarje e re, do të varet nga kushtet apo kriteret që do të përcaktohen në Kuvendin Zgjedhor.
“Momentalisht është larg procesit të kandidimit të kryetarëve dhe tash qysh po shkon fatkeqësisht po shkon te një klanizim se po kërkohet në opinion deklarime për apo kundër dikujt tjetër. Kurse zgjedhjet ende janë në degë. Tash LDK disa herë nuk e ka respektuar statutin dhe dokumentet e veta. Nëse nuk vënë kësi kufizime tjera që mos me kriju një oligarki edhe nëse nuk i pengojnë para kushtet që me zgjedh përnjëmend në Kuvend e jo me i kriju parakushtet që në Kuvend votimi me qenë formal, atëherë është parti e mirë dhe nuk përçahet. Mirëpo nëse shkojnë me klanizim dhe me grupacione, dhe akuza e kundër akuza atëherë ekziston rreziku që nuk del shumë e fortë pas këtyre zgjedhjeve dhe e përçarë”, tha Tahiri për FaktePlus.
Për të qenë një proces demokratik dhe për të dalë sa më e bashkuar, Tahiri thekson se do duhej që në raundin e parë të kishte deri në dhjetë kandidatë, në mënyrë që në raundin e dytë të mbeteshin tre kandidatët më të votuar.
Duke qenë se është përfolur edhe emri i kryetarit aktual të LDK-së, Isa Mustafa, se mund të kandidojë edhe për një mandat, analisti Tahiri, nuk e sheh Mustafën si pretendent kryesor meqë sipas tij, nuk ka çka i jep më LDK-së.
“Mendoj që është mirë me qenë 5, 6, 7 deri në 10 me pas kandidatë të parë që hyn në votimin e parë, e në votimin e dytë me mbetën 3 dhe ai që fiton me ia uru njëri tjetrin. Kjo do të ishte më demokratike. Nuk e shoh tash Isa Mustafën si vazhdues se mendoj se jo si personalitet, por si frymë, sepse LDK duhet të kalojë në një fazë tjetër të modernizimit prandaj nuk e shoh si kandidat. Tash ai varet a do me u deklaru vetë a jo, por unë nuk e kisha parë që do t’i kontribuonte punës nëse ai kandidohet”, theksoi Tahiri.
Duke parë ambicien e Lutfi Hazirit, Vjosa Osmanit, Kujtim Shalës, Fatmir Sejdiut, për ta pasuar Isa Mustafën, dhe mundësisë që të ketë përplasje mes atyre që shihen si gjeneratë e vjetër dhe gjeneratës së re, analisti Tahiri thotë se kjo duhet parë në bazë të asaj se çka ofrojnë.
“Nuk janë dy rryma. Nuk i shoh dy rryma të vjetër ose të ri, sepse nuk e shoh Lutfi Hazirin te rryma e vjetër sepse nuk e shoh në bazë të moshës ose stazhit në parti, por e shoh në bazë të pikëpamjes që mundet me pas në parti. Tash LDK për dallim prej partive tjera nuk është shumë parti liberiste, LDK për dallim prej partive tjera e mbajnë degët edhe votuesit tradicional. Tash Lutfi Haziri,Agim Veliu, Haki Rugova, janë pak më gjatë në parti, por ata nuk janë sherifa shumë lokal, por janë ata që nuk kanë humbur zgjedhjet në zonat e veta edhe pse kanë pas rrezik. Tash ata zakonisht e përkrahin një kandidat se e ruajnë edhe pozicionin e vetë dhe ndikimin e vetë në zonë”, shprehet analisti Ramush Tahiri.
Procesin e brendshëm zgjedhor e ka quajtur jetik për LDK-në edhe analisti tjetër, Artan Murati.
“LDK është duke dalë mirë në sondazhe, ku zakonisht po del e para, dhe kjo duhet të shërbejë si mësim për këtë subjekt në mënyrë që të tentohet të ruhet uniteti brenda partisë. Për më tepër, kandidaturat e shumta duhet të shihen si vlerë për një subjekt politik, e assesi të degradojnë në përçarje. Rrjedhimisht, të gjithë kandidatët potencial do të duhej të kishin parasysh se pavarësisht garës, secili nga ta duhet të dijë se secila tendencë për përçarje do ta ndikonte direkt jo vetëm procesin zgjedhor por edhe rezultatin potencial zgjedhor të LDK-së”, ka theksuar Murati.
Procesi i zgjedhjeve të brendshme në LDK pritet të përfundojë në fund të muajit maj./FaktePlus