LDK-ja dorëzon kallëzim penal ndaj Pecit e Pacollit
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Bujqësisë, Faton Peci pas marrjes së granteve nga familjarët e deputetes së pushtetit, Fitore Pacollit, duke thënë se vëllai dhe daja i Pacollit duhet t’ia kthejë paratë buxhetit të shtetit.
Forumi i Rinisë së LDK-së të martën dorëzoi kallëzim penal ndaj këtij rasti, derisa kryetari i Forumit, Paris Guri, ka thënë është e papranueshme që familjarët e deputetes të marrin grante në vlerë prej 100.000 euro.
“Pas skandalit të zbuluar që Fitore Pacolli, përmes lidhjeve të saja që janë të dukshme me ministrin Peci, ia ka ndarë 100.000 euro vëllait, e dje u zbulua se pos vëllait ia ka ndarë edhe dajës. Kjo e bën jashtëzakonisht shqetësues këtë rast, ku paraja publike po keqpërdoret në mënyrë brutale, e këtë s’bën ta tolerojmë. Gratë e Krushës që bënë një punë të madhe në Kosovë e sakrificë, janë refuzuar për të marrë grantë. Kjo është e papranueshme. Ky rast duhet të hetohet në mënyrë të mirë të mundshme, dikush duhet të japë dorëheqje, e dikush të shkojë në burg”, ka thënë ai.
Sipas Gurit, këto raste dëshmojnë ikjen e qytetarëve nga Kosova dhe humbjen e shpresës.
“Ne si popull s’jemi të varfër, por të vjedhur. I bëjmë thirrje ministrit Peci të japë dorëheqje. I bëjmë thirrje edhe Fitore Pacollit të marrë vëllain dhe dajën dhe t’i kthejnë paratë. Ato janë paratë tona. Grant ka fituar edhe këshilltari i Pecit që ka qenë pjesë e komisionit të granteve. S’do të ndalemi derisa të vjen drejtësia në vend dhe paratë të kthehen”, ka shtuar ai para mediave.
Për këtë rast kanë reaguar ditë më parë edhe ministri Peci e edhe deputetja Pacolli. Peci ka thënë se është bërë fushatë linçuese dhe propagandë nga partitë opozitare, duke shtuar se s’ka pasur ndikim në dhënien e granteve bujqësore.
Pacolli, njëherit kryetare e Komisionit Parlamentar për Bujqësi, ka thënë se do të ushtrojë padi ndaj mediave që kanë publikuar lajmin për grantin.