LDK-ja bën homazhe në Prekaz
Anëtarë të kryesisë të LDK-së, kryetarë të degëve dhe aktivistë të kësaj parie kanë bërë homazhe te Kompleksi Memorial në Prekaz dhe kanë vizituar familjen Jashari.
Në emër të kryesisë, sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri ka falënderuar Rifat Jasharin për pritjen.
Beqiri ka vlerësuar lartë veprën sublime të familjes Jashari, vepër e cila bëri ndryshime në historinë e kombit shqiptar.
“Familja Jashari dha gjithçka për këtë vend. Në Prekaz kishte filluar kthesa e madhe dhe Familja Jashari kishte kthyer sytë e botës demokratike drejt Kosovës”, tha Beqiri.
Kurse Rifat Jashari sipas njoftimit për media të LDK-së, ka falënderuar anëtarët e kryesisë dhe kërkoi unitet nga e gjithë skena politike për të ndërtuar dhe zhvilluar shtetin.
“Jashari gjithashtu ka shprehur interesim për shëndetin e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa dhe i uroi shërim të shpejtë”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga LDK-ja.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka shprehur mirënjohje dhe thotë se i përulet veprës sublime të familjes Jashari.