Mustafa: LDK e VV me vendim të përbashkët
Fjala e fundit e Lidhjes Demokratike të Kosovës karshi situatës në të cilën gjendet vendi, janë zgjedhjet.
Madje, kryetari i partisë, Isa Mustafa ka thënë se ky vendim i tyre është i akorduar edhe me Vetëvendosjen.
“Ne vlerësojmë se domosdoshmërisht duhet të shkojmë në zgjedhje, vlerësojmë se kjo qeveri nuk po i bën mirë këtij vendi, kemi ndërhyrje në komisione të pavarura nga qeveria, kemi dështime në politikën e jashtme, dështimet më të mëdha janë veprimet që po i ndërmerr Serbia për tërheqjet e njohjeve, mosanëtarësimi në INTERPOL”, ka thënë Mustafa.
Kreu i LDK-së ka shtuar se bashkë me Vetëvendosjen janë akorduar që mblidhet Kuvendit dhe të shpërbëhet ky institucion.
“Qëndrimi i LDK-së por edhe i akorduar me Vetëvendosjen ka qenë që të mblidhet Kuvendi edhe të merret vendimi, ose të shpërbëhet Kuvendi, ose të japë dorëheqje”, ka thënë Mustafa në Rubikon të KTV-s.
Isa Mustafa, ish-kryeministër i Kosovës thotë se dialogu duhet të ndalet deri sa të krijohet një ambient më i përshtatshëm dhe kjo përmes mbështetjes dhe ndikimit të forcave ndërkombëtare.
Ai tha se edhe brenda vendit duhet fillimisht të rishikohet procesi dhe të vendoset se çfarë do Kosova prej këtij procesi e jo të bëhen gara se kush po i bashkohet ekipit negociator.
“Përkohësisht duhet të ndalet, të ngrihet ose të shtyhet. Përderisa Serbia po bën fushatë kundër pavarësisë së Kosovës atëherë është absurde që ne të ulemi me Serbinë për të kërkuar njohjen e Kosovës sepse ata po të mendonin me njoftë atëherë nuk do të bënin fushatë për ç’njohje”, ka thënë Mustafa.
“Duhet të bisedojmë me aleatët tanë ndërkombëtarë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, në mënyrë që ata ta bindin ose të ushtrojnë ndikim te Serbia të ndalet një herë sepse duhet të krijohet një atmosferë për dialog dhe ne atmosferë për dialog s’kemi përderisa Daçiqi vrapon për të tërhequr njohjet e Kosovës”, ka thënë Mustafa. /FaktePlus