LDK e VV e quajnë broçkull dhe të panevojshme nismën e PSD-së për dialogun
Partia Socialdemokrate e Kosovës (PSD) nuk po gjen përkrahje për nismën e saj për ta miratuar një projekt-rezolutë dhe një projektligj për procesin e dialogut me Serbinë. Përveç hezitimeve të partisë me të madhe në pushtet PDK-së që ta mbështes këtë nismë të PSD-së, këtë të fundit nuk po e mbështesin as partitë në opozitë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje.
Madje, iniciativën e kolegëve të tyre në opozitë, deputetë të LDK-së e Vetëvendosjes, po e quajnë broçkull dhe të panevojshme.
Sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, e ka quajtur të paarsyeshme nismën e Partisë Socialdemokrate të Kosovës, që të miratohet një projekt-rezolutë dhe projektligj për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Deputeti i LDK-së i ka thënë Agjencisë së Lajmeve FaktePlus se nuk do ta përkrahin këtë nismë, sepse kjo më shumë është për të shpërndarë përgjegjësi, por jo për kryer punë.
“Jo, ne nuk e përkrahim as projektrezolutën as nuk e përkrahim të ashtuquajturin projektligj. Si të tilla mendojmë që janë të padobishme në dhe një mënyrë po ua zgjatin jetën, veprimet dhe sjelljet çfarë janë aktualisht kësaj Qeverie”, tha Beqiri.
Kurse deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, e quan të papranueshëm iniciativën e ish-kolegëve të saj, derisa thotë se ata i kanë bërë të qarta qëndrimet e tyre për dialogun me Serbinë.
“Për ne është e papranueshme qasja e këtij subjekti politik, këtij grupi parlamentar. Ne si Vetëvendosje i kemi bërë të qarta se cilat janë propozimet tona në raport me dialogun me Serbinë. Në këtë kuptim çfarëdo që ka dal në media, sepse zyrtarisht nuk jemi njoftuar për këto dy dokumente, por çfarëdo që ka dal në media ashtu siç i kemi parë për ne janë të papranueshme për disa arsye. E para, për neve është problematike që të bëhemi pjesë e një qeverie, e cila është qeveri e skandaleve dhe në anën tjetër të bëhemi pjesë e negociatave që në fakt nuk janë as serioze e as të duhura dhe të cilat po vazhdojnë pa parime dhe kushte”, tha Haxhiu për FaktePlus.
Ani pse në iniciativën e saj PSD-ja ka menduar që me projekt-rezolutën dhe projektligjin për dialogun t’ia heq presidentit të Kosovës Hashim Thaçi rolin në dialog, Ismet Beqiri e Albulena Haxhiu thonë se këtë nuk mund ta bëjë ky grup parlamentar.
Haxhiu thotë se në asnjë mënyrë këto dy dokumente të hartuara nga subjekti politik PSD nuk e ndalin presidentin Hashim Thaçi që ta udhëheq dialogun dhe të jetë në krye të delegacionit të Kosovës.
“Absolutisht jo, unë nuk e di se ku e ka parë këtë PSD-ja, në asnjë prej këtyre dy dokumenteve që janë prezantuar nuk largohet roli i presidentit prandaj për neve si Vetëvendosje janë të papranueshme. Sepse ne konsiderojmë që presidenti përveç që nuk duhet të ketë rol, po ashtu nuk duhet të jetë as pjesë e ndonjë ekipi negociator. Madje, ai duhet të jap përgjegjësi për dëmet që i kanë sjellë. Ajo çfarë është e rëndësishme të theksohet, është që në takimin e ri Mogherini do ta ftojë Shpend Ahmetin dhe Fatmir Limajn, apo Hashim Thaçin. Prandaj, këto janë broçkulla të këtij grupi parlamentar”, theksoi ajo.
Edhe Isamet Beqiri thotë se PSD nuk mund ta ndalë në këtë mënyrë presidentin Thaçi, madje, sipas tij, po e krijojnë rastin që Thaçi të vazhdojë edhe më tutje.
“E vetmja mënyrë për mendimin tonë për ta ndalë Thaçin është një fjali, nuk ka në dialog askush të drejt të flas për kufijtë e Kosovës, pikë, tjerat janë llafe. Edhe një gjë, këta nuk mund ta ndalin të shkojë të flas. I vetmi vend që ai mund të ndalet është Kuvendi, sepse secila marrëveshje që arrihet duhet të sillet në Kuvend”, theksoi Beqiri për FaktePlus.
Ditë më parë partia e Shpend Ahmetit propozoi miratimin e një projekt-rezolute dhe një projektligji me të cilin kërkohet njohja e Kosovës nga Serbia në fazën finale të dialogut, derisa në këtë proces me këto dy dokumente tentohet t’i hiqet roli primar që aktualisht ka presidenti Hashim Thaçi./B. Syla – FaktePlus