LDK e Vetëvendosje tregojnë a do të bashkëpunojnë me Listën Serbe për të rrëzuar Qeverinë
Përkundër kritikave të shumta që kanë ndaj qeverisjes aktuale dhe dëshirës për ta rrëzuar, dy subjektet më të mëdha opozitare LDK dhe Vetëvendosje nuk e përkrahin dhe e shohin tendencioze idenë e Listës Serbe për t’u bërë bashkë e për t’i dhënë fund Qeverisë e cila po drejtohet nga Ramush Haradinaj.
Deklaratën e sotme të deputetit të Listës Serbe, Igor Simiq, i cili tha se janë të gatshëm të rrëzojnë Qeverinë e Kosovës nëse opozita i siguron 51 vota, deputeti i LDK-së Driton Selmanaj e ka quajtur tendencioze dhe me qëllim të polarizimit të skenës politike në mes shqiptarëve.
“Këto deklarata i shoh me qëllim politik e të cilat kanë intenca me ngjallë polarizime në mes skenës politike shqiptare, por jam i sigurt se ata pa një dakordim të Hashim Thaçit, Aleksander Vuçiqit, Ramush Haradinajt e Milan Radojeçiqit, nuk kanë për qëllim me rrëzuar Qeverinë”, tha Selmanaj për FaktePlus.
Ai tutje ka thënë se edhe sikur të bashkëpunonin me Listën Serbe opozita tashmë nuk do t’i kishte numrat e nevojshëm për ta rrëzuar Qeverinë.
Dhe kjo situatë, sipas deputetit Selmanaj ka ardhur pas qëndrimeve të fundit të PSD-së, të cilës të shtunën pozita ja mbështeti rezolutën për dialog me Serbinë.
“Ne edhe po të kishim bashkëpunim me Listën Serbe nuk do t’i kishim numrat, sepse po shihet se PSD ka marrë tjetër pozicion. Duhet ta dimë që Lista Serbe vendos përmes Vuçiqit në Serbi dhe Milan Radojeciqit në Veri. Besoj kjo tashmë është fakt publik se zotëri Vuçiq ka një raport të ngushtë me zotëri Thaçin, njëjtë sikurse ka Radojeçiqi me kryeministrin Haradinaj, pa lejen e këtyre të katërve, nuk mund të realizohej kjo”, tha Selmanaj.
Edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi theksoi se kjo parti nuk do të bashkëpunojë me Listën Serbe për të rrëzuar Qeverinë.
“Jo. Me Listën Serbe nuk do të kemi bashkëpunim, sepse Lista Serbe nuk përfaqëson interesat e qytetarëve serbë, por përfaqëson interesat e Vuçiqit dhe nuk mund të fuqizohet Lista Serbe dhe të bëhet faktor vendimmarrës, se paku aty ku varet prej Vetëvendosjes”, deklaroi Kurteshi.
Deputetët e LDK-së e Vetëvendosjes pranojnë faktin se tashmë situata në terren për opozitën është vështirësuar pas afrimit të PSD-së me pushtetin.
“Tash është vështirësuar situata, normalisht që është vështirësuar. U dëshmua që ata asnjëherë nuk kanë qenë në opozitë por kanë qenë në kalkulimet e tyre për të bërë pjesë e qeverisë dhe nuk është e çuditshme nëse bëhen pjese e saj”, ka thënë deputeti i LDK-së.
Megjithatë deputetët e LDK-së dhe ata Vetëvendosjes thonë se ditën në vijim duhet t’i rishikojmë pozicionet e tyre karshi kësaj situate. Sipas tyre, doi të vazhdohet kundërshtimi opozitar ndaj tendencave negative që mund të jenë për shtetin e Kosovës përmes këtij procesi të dialogut.
Ndryshe, deputeti i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, Igor Simiq ka thënë për një televizion në Beograd se kjo Listë është e gatshme ta rrëzojë Qeverinë e Kosovës nëse opozita i siguron 51 vota.
“Në Kuvend do të shkojmë në momentin që opozita e Kuvendit i mbledh 51 nënshkrime për rrëzimin e Qeverisë për ta dhënë kontributin që kjo Qeveri të bjerë“, ka thënë mes tjerash Igor Simiq./FaktePlus