LDK e përkrah gjendjen e jashtëzakonshme
Lidhja Demokratike e Kosovës e ka mbështetur propozimin e presidentit të vendit, Hashim Thaçi, për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme në vend, si masë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Qëndrimin e LDK’së e ka shprehur ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, njëherësh nënkryetar i LDK’së, Agim Veliu, pasi kryeministri i vendit, Albin Kurti, e ka kundërshtuar planin e Thaçit.
Në një konferencë për media, zëvendëskryeministri i dytë, Haki Abazi, ka thënë se vendi s’ka nevojë tani për gjendje të jashtëzakonshme.
Por, ndryshe nga partneri i koalicionit, LDK’ja e përkrah gjendjen e jashtëzakonshme.
“Situata në Kosovë është serioze. Numri i të prekurve po rritet”, ka deklaruar Veliu në Klan Kosova.
“Institucionet duhet t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme në mënyrë që ta parandalojnë këtë pandemi”, ka shtuar ai.
“Unë personalisht jam që të ndërmerren të gjitha masat. Qofshin ato edhe ekstreme, sikurse po quhen, që të mbrohemi nga ky rrezik që e ka përfshirë globin, por edhe Kosovën”, është shprehur Veliu.
“Presidenti i Republikës ka propozuar që është mirë të bëhet gjendje e jashtëzakonshme, duke e pasur parasysh rritjen e numrit. Ai e shfrytëzon të drejtën e tij kushtetuese që ta paraqesë dekretin. Janë deputetët ata që e thonë fjalën e tyre, me votën pro ose kundër”, ka thënë ai më tej.
I pyetur nëse LDK’ja e mbështet presidentin apo kryeministrin rreth gjendjes së jashtëzakonshme, Veliu është përgjigjur: “Nuk është çështja a jemi me presidentin apo kryeministrin. Nëse bëjmë garë mes veti, ky është gabimi më i madh në këtë situatë”.
Veliu është pyetur nëse beson se gjendja e jashtëzakonshme duhet të shpallet.
“Po, sigurisht”, ka thënë ai.
Gjendjen e jashtëzakonshme më herët gjatë ditës e ka kërkuar edhe kreu i LDK’së, Isa Mustafa.