Lavrovi kërcënon Ukrainën: Lufta e re do të kryhej me shkatërrimin e shtetit tuaj
Në kohën kur Ukraina ka pretenduar se Rusia i ka grumbulluar trupat ushtarake përgjatë kufirit të përbashkët, ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov, kërcënoi haptazi, duke thënë se çfarëdo përpjekjeje për një luftë të re në lindje të Ukrainës do të përfundonte me shkatërrimin e atij shteti.
Kërcënimi i ri erdhi pasi Moska dhe Kievi shkëmbyen akuza për rritjen e fundit të tensioneve në konfliktin e gjatë mes forcave qeveritare ukrainase dhe separatistëve të përkrahur nga Rusia, shkruan Free Europe.
Në një intervistë për “Channel One”, kryediplomati rus e citoi presidentin Vladimir Putin të ketë thënë: “Jo shumë kohë më parë, dhe qëndrimi mbetet tipit sot, gjithashtu, se ata që përpiqen të fillojnë një luftë të re në Donbas do ta rrënojnë Ukrainën”.
Ukraina thotë se separatistët janë duke e shkelur në mënyrë të vazhdueshme armëpushimin e arritur në korrik të vitit të kaluar dhe po e akuzon Rusinë për grumbullimin e forcave ushtarake afër kufirit. Kjo akuzë është mohuar nga Kremlini.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Rusia është duke i zhvendosur trupat brenda territorit të vet dhe me diskrecionin e vet dhe se ky veprim nuk duhet ta shqetësojë askënd.
Ai tha se Rusia duhet të qëndrojë syçelë përballë aktivitetit intensiv të trupave të NATO-s në perimetrin e kufijve rusë.
Pas këtyre deklaratave të zyrtarëve rusë, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të ShBA-së, Ned Price, e paralajmëroi Moskën që të mos e frikësojë Ukrainën.