Lajmërohet Vjosa Osmani: Thaçi s’mund të flasë në emrin tim si deputete
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherit kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani ka thënë se presidenti Hashim Thaçi s’mund të flasë në emrin e saj si deputete në tentimin për të formuar qeveri të re pa dërguar vendin në zgjedhje.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka thënë se personalisht kishte votuar kundër marrëveshjes, të cilën Thaçi e quajti njohje të Kosovës nga Serbia, por që në fakt, marrëveshja, në fakt, krijoi asociacionin e komunave serbe.
Postimi i plotë:
Si sot 7 vite më parë, Thaci solli për votim në Kuvend marrëveshjen e tij me Dacic, të cilën e quajti njohje të Kosovës nga Serbia. Marrëveshja, në fakt, krijoi Asociacionin e Komunave Serbe, legalizoi strukturat kriminale të veriut, i futi strukturat e sigurisë së Serbisë në institucionet tona, krijoi sistem jounitar gjyqësor e ofroi amnisti për serbët që kishin kryer krime. Atëherë votova KUNDËR, e bindur që kjo nuk ishte as njohje e as marrëveshje finale dhe vetëm hapte rrugë për shkelje të tjera të rënda në dëm të shtetësisë e sovranitetit të vendit.
Sot, 7 vite pas, po i njëjti njëjti, tenton të flasë në emër të 91 deputetëve. Por, JO NË EMRIN TIM, e as në emër të qindra mijëra qytetarëve të tjerë të këtij vendi, të cilët njëjtë sikur më 6 tetor 2019, edhe sot qartë dijnë të bëjnë dallimin e të mirës me të keqen.