Lajm shumë i mirë për gjithë mësimdhënësit e viteve të 90-ta
Gjithë mësimdhënësit të cilët kanë punuar gjatë viteve 1990, në kuadër të procesit të njohur si sistemi paralel i arsimit në Kosovë, prej këtij muaji, respektivisht këto ditë do të fillojnë të marrin kompensimin prej 19 deri në 95 euro në muaj, ashtu siç është përcaktuar muaj më parë me ligj, raporton FaktePlus.
Fillimin e pagesave këtë muaj për punëtorët e arsimit shqiptar të Republikës së Kosovës nga viti 1990 deri në 1999, e kanë konfirmuar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus zyrtarët nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS).
Bahri Xhaferi, udhëheqës i Departamentit të Pensioneve që operon në kuadër të MPMS ka thënë se nga 15 gushti i këtij viti kur edhe ka filluar aplikimi i mësimdhënësve, e deri më tani janë 9 mijë e 409 persona që kanë bërë kërkesë për kompensim.
Ai konfirmoi se kompensimi për këtë kategori ashtu siç parashihet me ligj do të fillojë këtyre ditëve.
“Mund të konfirmojmë se deri më tani kanë parashtruar kërkesë 9409 persona. Pagesa apo kompensimi për për këtë kategori do të bëhet në pagesat e pensioneve të muajit nëntor 2019”, ka thënë Xhaferi.
Ai tutje ka shtuar se nga fillimi i muajit dhjetor, nuk do të jetë e drejta e parashtrimit të kërkesës për kompensim në mënyrë retroaktive.
“Nuk ka kufizim të afatit për parashtrimin e kërkesave për këtë kompensim ashtu si edhe për skemat e tjera pensionale, por kërkesat prej datës 01.12.2019 nuk do të kenë të drejtën në retroaktivitet në pagesë dhe se pagesa do të bëhet nga data – muaji i parashtrimit të kërkesës”, ka thënë Xhaferi për FaktePlus.
SBASHK-u i kënaqur me kompensimin
Përfaqësues të Sindikatës së Bashkuar për Arsim Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), janë shprehur të kënaqur që tashmë do të fillohet me ndarjen e mjeteve financiare për gjithë ata që mbajtën arsimin gjallë në Kosovë.
Rrahman Jashari, kryetar i kësaj sindikate i ka thënë Agjencisë së Lajmeve FaktePlus se procesi i aplikimit të mësimdhënësve ka shkuar e po përmbyllet mirë.
“Deri më tani procesi ka shkuar mirë, kolegët tanë kanë aplikuar kështu duke iu përmbajtur të gjitha kritereve të dhënë nga ministria ani pse fillimisht ka pasur mëdyshje për dokumentin për tatimin mbi pronë, ne kemi kontaktuar me departamentin ku na kanë thënë se nuk po e kërkojnë si barrierë, por për të mirë të procesit. Po ashtu, kemi pasur edhe pak telashe dy nënshkrimet dhe vërtetimet e drejtorëve të shkollave dhe atij të arsimit, por në përgjithësi deri më tani nga tereni nuk ka pasur probleme të mëdha”, ka thënë Jashari.
Kujtojmë se sipas ligjit vlera e konvertuar në valutën euro për kontributin e mësimdhënësve gjatë viteve të 90-ta nis nga 19 deri në 95 euro, varësisht nga koha sa kanë punuar.
E sipas të dhënave të publikuara më parë janë diku rreth 10 mijë punëtorë të arsimit shqip të Republikës së Kosovës, të cilët kanë ushtruar profesionin e tyre gjatë viteve shkollore 1990-1999.
Mësimi në Kosovë nga viti 1990 deri më 1999 është zhvilluar nëpër shtëpitë shkolla, duke kundërshtuar kështu nënshtrimin ndaj politikës së Beogradit dhe ish- liderit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq.
Kostoja e zbatimit të Ligjit në fjalë, sipas një llogaritje për vitin 2019, do të jetë diku 6 milionë euro, kurse për vitin 2020 rreth 7 milionë euro.
Në ditën kur edhe ka filluar zbatimi i Ligjit për Statusin e Punëtorëve të Arsimit Shqip të Republikës së Kosovës, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka treguar edhe se cilat dokumente duhet të kenë parashtruesit e kërkesës, duke përfshirë: kopjen e lejes së njoftimit të Republikës së Kosovës; Ekstraktin e lindjes; Ekstraktin e kurorëzimit (për pension familjar); Faturën e tatimit në pronë; Vërtetimin nga Drejtorati Komunal i Arsimit, apo Rektorati për periudhën e shërbimit në sistemin e arsimit shqip të Republikës së Kosovës; si dhe Kopjen e vendimit për përfituesit e pensionit bazë, përkatësisht kontribuues.
Që nga viti 2013 mësimdhënësit e viteve të 90-ta, pritën që Kuvendi i Kosovës ta miratojë Ligjin, i cili do t’ua garantonte atyre kompensimin për kontributin e dhënë gjatë asaj kohe./FaktePlus