Lajm i mirë për Kosovën, Hekuran Kryeziu u kthehet stërvitjeve
Pas gati gjysmë viti pauzë, mesfushori i Përfaqësueses së Kosovës, Hekuran Kryeziu, u është kthyer stërvitjeve. Skuadra e Zuerichut, të enjten, ka njoftuar se Kryeziu ka lënë pas vetes lëndimin dhe ka filluar të bëhet gati që sa më shpejtë të jetë në dispozicion të trajnerit dhe ekipit.
Kryeziu në prill lëndoi ligamentet e gjurit dhe prej asaj kohe nuk ka qenë në gjendje ta ndihmojë as Zuerichun e as Përfaqësuesen e Kosovës. Ai ishte dëmtuar më 22 prill në ndeshjen e fundit të kampionatit zviceran, që Zuerichu e luajti ndaj Luganos, kurse pas analizave ishte konstatuar se Kryeziu do t’i duhej të pushonte të paktën gjashtë muaj.