Lajm i mirë edhe nga Infektiva: 10 pacientë dalin negativë në testimin e parë
Sonte për herë të parë numri i të shëruarve nga koronavirusi është dyfish më i madh se numri i të infektuarve. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se sot janë shëruar 35 persona, derisa janë 17 raste pozitive me Covid-19.
Krahas këtij lajmi shumë shpresëdhënës, infektologu Sali Ahmeti në Edicionin Special në Klan Kosova ka dhënë edhe një lajm tjetër të mirë.
“Kjo është një mostër nga terreni, mirëpo ne kemi edhe një numër të konsiderueshëm të rasteve këtu në klinikë që janë para përfundimeve klinike”.
“Ne sapo morëm rezultatet nga IKSHPK-ja ku janë mbi 10 pacientë të shtrirë që po ashtu kanë rezultuar negativë. Ne do t’ua përsërisim edhe nga një mostër dhe nëse edhe ajo rezulton negative, atëherë këta pacientë do të shkojnë pasnesër në shtëpi të shëruar”.
“Këto pa diskutim janë lajme të mira, por megjithatë edhe të pritshme. Ne po mundohemi të gjithë bashkarisht që t’i shërojmë sa më shumë këta pacientë”.
Por, a do të thotë kjo që së shpejti IKSHPK-ja mund t’iu rekomandojë institucioneve lehtësimin e masave të ndërmarra për frenimin e përhapjes së Covid-19?
“Realisht këto janë parametra dhe qasje kryekëput e IKSHPK-së, por gjykuar nga numri i rasteve ne kemi akoma ardhje të rasteve në klinikë sipas një kurbe të sheshtë. Kemi pasë thuajse një baraspeshim mes pacientëve të pranuar dhe të liruar, por besoj se gjatë kësaj jave numri i të liruarve do të jetë më i madh se i atyre që do të shtrihen në spital”.
Infektologu Ahmeti duke treguar për gjendjen e pacientëve me Covid-19 që janë të hospitalizuar në Klinikën Infektive në QKUK ka thënë se dy pacientë janë në gjendje shumë të rëndë.
“Ne këtu aktualisht i kemi 55 pacientë të shtrirë që janë të konfirmuar pozitivë me Covid-19. Prej tyre, 45 janë në gjendje stabile me parametra klinikë të menaxhueshëm, ndërsa 10 prej tyre janë në gjendje më të rënduar – tetë prej tyre janë në oksigjenoterapi për shkak të prekjes së mushkërive dhe vështirësisë në frymëmarrje, por gjendja e tyre vazhdon të jetë stabile. Po bëjmë të gjitha përpjekjet e mundshme që edhe këta pacientë të përmirësohen”.
“Dy prej tyre janë në gjendje shumë të rëndë dhe janë në kujdes intensiv. Njëri është në ventilim mekanik dhe i intubuar, ndërsa tjetri është po ashtu në ventilim mekanik, por jo i intubuar. Gjendja e tyre është e rëndë, por ne po bëjmë të gjitha përpjekjet e mundshme”.