Lajiq sërish ankohet për taksën, thotë se Serbia humbi 90 milionë
Nuk kalojnë tri javë që ministri i Tregtisë, i Turizmit dhe i Telekomunikacionit i Serbisë, Rasim Lajiq të përsërit nga një ankesë për humbjet që i ka shkaktuar taksa 100 për qind ka vënë Qeveria e Kosovës ndaj produkteve të Serbisë.
Ai ka bërë të ditur se prej kohën që taksa është në fuqi, gjatë tre muajve të fundit në Kosovë janë plasuar 90 milionë euro më pak mallra se sa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
“Ne më 21 shkurt të këtij viti do ta kemi bilancin e saktë të gjendjes se sa më pak mallra janë eksportuar për Kosovë. Deri më tash, për 80 ditë, janë eksportuar 90 milionë euro më pak mallra në Kosovë se sa në periudhën e njëjtë të vitit të shkuar. Tregtia ka rënë në minimum ose po punon kontrabanda, sepse në Kosovë ka mallra serbe”, ka thënë për TV Pink, ministri serb Rasim Lajiq.
Mes tjerash ai thotë se për taksën gjithnjë e më shumë po flitet si për një çështje të pazgjidhur politike dhe kjo, sipas tij, e pengon zhvillimin e dialogut ndërmjet Serbisë e Kosovës.