Lajçak: Pretendimet se BE-ja është kundër hapjes së Urës së Ibrit – çorientuese
misari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se pretendimet se BE-ja është kundër hapjes së urës kryesore të Ibrit janë çorientuese.
Përmes një reagimi në platformën “X”, Lajçaku ka thënë se BE-ja vazhdimisht ka thënë se çështja e hapjes së urës duhet të diskutohet në dialog mes Kosovës dhe Serbisë.
“BE-ja ka theksuar vazhdimisht se çështja e urës së Mitrovicës duhet të diskutohet në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Pretendimet se BE-ja është kundër hapjes së urës ose ka ndryshuar pozicionin e saj janë çorientuese”, ka shkruar ai.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili është edhe kryenegociator i Kosovës në negociatat me Serbinë, ka shkruar në “X” se BE-ja është duke kërcënuar me vendosjen e masave shtesë ndaj Kosovës po qe se zbatohet marrëveshja e ndërmjetësuar nga vetë ajo.
Bislimi ka shkruar se emisari i BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, Miroslav Lajçak, gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë më 19 qershor, kur pati diskutuar për temën e urës mbi lumin Ibër, ka thënë që në rast se Kosova nuk preferon që kjo çështje të diskutohet në Bruksel, atëherë rekomandon që të bëhen bisedime të brendshme me serbët lokalë. Ai po ashtu ka thënë se një partner i QUINT-it e pati shtuar kërkesën që të ketë inspektime teknike.
E pas realizimit të dy kërkesave shtesë, Bislimi ka thënë se BE-ja tani po kërcënon me masa ndaj Kosovës nëse e hap urën për qarkullim të veturave.