Ky është zotimi i Kosovës dhe Serbisë në Mynih
Kosova dhe Serbia i kanë vënë firmat të premten mbi dy letra të shprehjes së interesit, nëpërmjet të cilave të dyja vendet kanë shprehur gatishmërinë për hapjen e hekurudhave ekzistuese dhe ngritjen e autostradave, për t’i lidhur dy shtetet me rajonin dhe me Bashkimin Evropian.
Përfaqësues të Qeverisë së re të Kosovës nuk janë parë në ceremoninë e nënshkrimit, e mbajtur në Munih të Gjermanisë, shkruan sot Koha Ditore.
Në ceremoninë e organizuar fare pak çaste para fillimit të Konferencës së Sigurisë në Munih kanë marrë pjesë presidenti Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq. Por firmat në letra janë vënë në nga zyrtarë rangjesh të ulëta. Marrëveshjet janë arritur tri javë pas asaj për rivendosjen e linjës ajrore ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe që të tria janë ndërmjetësuar nga ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell, i cili është edhe i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump, për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Ne kemi negociuar për hapjen e linjës ajrore për fluturime direkte mes Prishtinës dhe Beogradit dhe tani kemi edhe dy marrëveshje të tjera”, ka thënë Grenell. “Tani kemi dy marrëveshje më shumë dhe ajo që unë kam biseduar me të dy presidentët është që të përqendrohemi sa më shumë në zhvillimin ekonomik”.
E, Ambasada amerikane në Gjermani e ka cilësuar këtë si një moment “historik drejt zhvillimit ekonomik”.
Dakordimi për hapjen e rrugëve ajrore e hekurudhore, por edhe të shtimit të atyre rrugore, është bërë në kohën kur është rritur presioni për rinisjen e fazës finale të dialogut, e i cili synohet të përmbyllet me marrëveshje ligjërisht obliguese për të dyja vendet.
Presidenti Thaçi e ka cilësuar zhvillimin e së premtes si arritje të rëndësishme dhe hap tjetër drejt arritjes së “marrëveshjes finale historike” për “njohje reciproke dhe anëtarësim në OKB”.
“Marrëveshja e sotme për hekurudha dhe autostrada është mesazhi më i mirë që rajoni do të ketë paqe, zhvillim ekonomik, progres, vende të punës, pra ajo çka u duhet njerëzve tanë në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor”, ka thënë presidenti Thaçi. “Kosova beson në lidershipin e presidentit Trump dhe administratën që gjatë gjithë kësaj periudhe dhe viti po punojnë për marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi. Kjo është rruga që duhet të ndjekim në të ardhmen dhe të mos mbetemi peng i së kaluarës së hidhur mes vendeve dhe popujve tanë”.
Përmbajtja e marrëveshjeve nuk është bërë e njohur.
Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë, ka thënë se bisedimet që i kanë prodhuar të dyja letrat e shprehjes së interesit nuk ishin të lehta./FaktePlus