Ky është VENDIMI që pezullon faljen e Namazit të Kurban Bajramit nëpër xhamitë e Kosovës

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava, në mesazhin drejtuar qytetarëve me rastin e festës së Kurban Bajramit, ka njoftuar se BIK ka marrë vendim që të pezullojë faljen e Namazit të Kurban Bajramit nëpër xhamitë e Kosovës.
E ky vendim thuhet se erdhi duke marrë parasysh situatën e rënduar aktuale me pandeminë gjithnjë në rritje, duke parë shtimin e rasteve të infektimit me virusin korona të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Po ashtu nga BIK thuhet myftiu Tërnava mori këtë vendim me qëllim të ruajtjes së shëndetit të qytetarëve dhe në përpjekje të parandalimit të përhapjes së mëtutjeshme të virusit; në bazë të kompetencave të tij, sipas nenit 47.1 të Kushtetutës së Bashkësisë Islame të Republikës të Kosovës.
Ky është vendimi që mori myftiu Tërnava:
V E N D I M
1. PEZULLOHET falja e të gjitha namazeve ditore (përfshirë edhe namazin e Kurban-Bajramit dhe namazin e xhumasë) në territorin e Republikës së Kosovës, duke filluar nga dita e sotme e deri në ditën e diel, më datë 09.08.2020
2. Praktikimi i ritualeve fetare do të fillojë ditën e hënë më datën 10.08.2020
3. Vazhdon të thirret ezani në të gjitha xhamitë e territorit të Republikës së Kosovës, pa përjashtim, në çdo kohë të namazit
4. Vazhdon pezullimi i të gjitha aktiviteteve dhe ceremonive të tjera fetare deri në një vendim tjetër të radhës.
K R Y E T A R I,
Myftiu Naim TËRNAVA
