Ky është rrëfimi i Adem Mikullovcit për fitoren e Vetëvendosjes, bën krahasim interesant
Ish- deputetin e Lëvizjes Vetëvendosjes, Adem Mikullovci, e ka gëzuar fitorja e partisë së tij në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit, për Kuvendin e Kosovës. Madje, aktori i madh kosovar, që ishte njëri prej akterëve edhe të Deklaratës së 2 Korrikut 1990, fitoren e tashme të Vetëvendosjes e ka quajtur realizim i 2 korrikut 1990.
Në një bisedë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, Mikullovci, teksa ka shprehur gëzimin me fitoren e Vetëvendosjes, thotë se tani i presin punë të mëdha për t’i realizuar, pasi ka pasur keqqeverisje.
“Qysh e kam ndje vetën, qysh e kam pasur shpresën me 2 Korrik 1990 kur është shpallë Deklarata Kushtetuese, tash po më duket sikur po realizohet synimi i 2 korrikut. Po dua të them që vërtetë erdhi liria e vërtetë e Kosovës. Ajo që kemi luftuar si Kuvend i 90-tës dhe e ka shpallë Kushtetutën e Kaçanikut dhe Deklaratën Kushtetuese, ato dyja po realizohen. Për mua kaq ka vlerë dhe këso krahasimi mund të bëjmë me këtë fitore të Vetëvendosjes. Jam më i lumtur që mund të jetë njeriu, megjithëse na presin shumë punë të mëdha”, ka thënë Mikullovci, shkruan FaktePlus.
Teksa flet për punët që ka për t’i kryer Vetëvendosje, Mikullovci thotë se do të jetë e vështirë, pasi duhet nisur nga fillimi.
Por, për një gjë ish- deputeti është i sigurt, partia e tij, nuk do të devijoj. Derisa, kërkon mirëkuptim të qytetarëve sepse disa punë mund të shkojnë më ngadalë.
“Unë kisha pasur dëshirë që ta kuptojnë njerëzit, qytetarët e Kosovës, se kur ndërton shtëpi nuk është lehtë nga fillimi. Shumë gjëra, shume punë duhet me i nis nga fillimi. Punët janë keq gjithkah, në arsim, në shëndetësi, në gjyqësi, polici, papunësia, rinia rrugëve dhe vërtetë ne duhet t’i përvjelim duart, shtrëngojmë dhëmbët dhe të punojmë. Fillimi është mjaftë i vështirë. Prandaj, duhet qytetarët të kenë mirëkuptim. Vetëvendosje, kjo Qeveria e re, me siguri nuk do të devijoj, por do të shkojë rrugës së vet dhe planprogramin që ia kanë dhënë qytetarëve qysh nga fushata parazgjedhore. Mirëpo shumë punë nuk mund të bëhen menjëherë, me shkop magjik, ka punë e punë. Por keqpërdorime nuk do të ketë më, hajni nuk do të ketë më, korrupsion s’ka më, këto të këqija po i heqim”, është shprehur Mikullovci.
Me tutje në këtë rrëfim të tij, ish- deputeti thotë se Kosovës i duhet një teatër i fortë, e njëqind gjëra tjera, e jo të flitet vetëm për ndërtimtari.
Sipas tij, njëherë duhet ta pastrojnë plagën, pastaj të fillojnë t’i përdorin medikamentet ta shërojnë atë plagë.
Ish- deputeti është i bindur se nuk do të zhgënjehet me Lëvizjen Vetëvendosje në drejtimin e shtetit.
“Jo, nuk ka zhgënjim me Vetëvendosjen. Vetëm se punët nuk mund t’i kryejë aq shpejt, na pret punë e madhe, shumë punë ndoshta mund të duken se shkojnë ngadalë, por zhgënjim s’ka, korrupsion s’ka, qeveri e vërtetë popullore, qeveri që e ka zgjedhur populli. Nuk do të ketë zhgënjim”, ka theksuar ai.
Mikullovci e sheh qeverinë e ardhme Vetëvendosjen dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës. Madje, e quan absurde në qoftë së këto dy parti nuk mund të merren vesh për të lidhur koalicion për bashkëqeverisje.
“Unë e shoh koalicionin me Lidhjen Demokratike dhe shpresoj që do të bëhet gjithsesi. Po dështuan këto, po nuk u morën vesh, që për mua është absurd mos të merren vesh, atëherë na presin punë të këqija. Me tjerët s’ka. Me Listën Serbe as nuk bëjmë muhabet bile”, shtoi Mikullovci.
Ai tregon edhe për një bisedë që kishte me një profesor nga Shqipëria.
“I thash një profesori nga Tirana se albinizmi e ka përfshirë Kosovën, Vetëvendosje po fiton, ndërsa, profesori me tha albinizmi Kosovën e ka kapluar, po qysh ta bëjmë një albinizëm edhe në Shqipëri, sepse edhe në Shqipëri po mungon albinizmi”, përfundoi Mikullovci.
Vetëvendosje fitoi në zgjedhjet e 6 tetorit, duke dalë e para me 25. 48 për qind, duke lënë mbrapa LDK-në me 24.82 për qind dhe PDK me 21.24 për qind./FaktePlus