Ky është personi që u gjet i vdekur në burgun e Pejës e të cilin e kërkonte SHBA-ja
Një i burgosur është gjetur i vdekur sot në Qendrën e Paraburgimit në Pejë. Agjencia e Lajmeve FaktePlus mëson se i vdekuri është Binak Gjergjaj, i cili prej kohësh kërkohej nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe pritej ekstradimi i tij.
Të kontaktuar nga FaktePlus, zyrtarët nga Shërbimi Korrektues i Kosovës nuk kanë dashur të flasin për këtë rast, me arsyetimin se do të lëshohet një komunikatë për media.
Si do qoftë, siç mëson FaktePlus, dyshimet e para janë që i burgosuri ka bërë vetëvrasje. Ai dyshohet se ka varur vetën, duke përdorur pjesë të mbulesës (qarshafit) të shtratit të tij personal.
Binak Gjergjaj i lindur më 26.02.1967, është arrestuar rreth tre muaj më parë nga Policia e Kosovës dhe po mbahej në burg deri në ekstradim për në SHBA, pasi që i njëjti është i dyshuar për kryerjen e një vrasje në shtetin e Michiganit të SHBA-së.
Në fakt Gjergjaj është në kërkim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës pasi akuzohet për vrasjen e gruas së tij, Afërdita Gjergjajt, në vitit 2001.
Afërdita Gjergjaj, ish- bashkëshortja e Binak Gjergjajt, u zhduk më 26 shkurt të 2001, pasi ishte takuar me Binak Gjergjajn në Auburn Hills të Miçiganit për të diskutuar një çështje të kujdestarisë që përfshinte fëmijët e çiftit.
Gjatë hetimit, siç kishin raportuar mediet amerikane, Binak Gjergjaj gjithashtu ishte zhdukur. Hetuesit amerikanë kanë thënë se ai kishte shkuar në Kosovë.
Makina e Gjergjajt ishte gjetur në natën e 27 Shkurtit 2001 në parkingun e kinemasë së Auburn Hills. Telefoni e Afërdita Gjergjajt, çanta dhe disa fatura ishin në makinën e ish- bashkëshortit të saj, me të cilën ishte divorcuar dy vite para se të ndërronte jetë dhe ishte takuar së fundmi.
Afërdita Gjergjaj, ish- bashkëshortja e Binak Gjergjajt
Vdekje e dyshimtë në burgun e Pejës, viktimën e kërkonte SHBA-ja