Ky është mesazhi kërcënues që mori ish-ushtari i UÇK-së, letrën e gjeti në oborr
Një qytetar nga Gjakova ka gjetur në oborrin e shtëpisë së tij një zarf brenda të cilit ishte një letër kërcënuese. Për këtë, ai ka raportuar në polici, ndërkaq lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori.
Mësohet se ish-pjesëtari i UÇK’së u kërcënua me jetë
Mëngjesi i së mërkurës ishte i trishtë për ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kur doli në oborrin e shtëpisë së tij, ai gjeti një zarf me një letër brenda.
Policia në raportin 24 orësh ka bërë të ditur se përmbajtja e letrës ishte kërcënuese, ndërkaq Express mëson se ish-pjesëtarin e UÇK’së e kanë ofenduar e sharë me fjalë banale.
“Ke qenë bashkëpunëtor i Serbisë, nuk ke ku shkon, do të të vrasim”, janë fjalët të cilat përmban letra kërcënuese ndaj qytetarit.
Ndërkaq në raportin e policisë theksohet se lidhur me këtë ngjarje është njoftuar prokurori dhe se po bëhen të gjitha hetimet e nevojshme për zbardhjen e rastit.
“Viktima mashkull K/Shqiptar ka raportuar se, në oborrin e tij ka gjetur një zarf me përmbajtje kërcënuese. Lidhur me rastin është informuar prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin”, ka njoftuar policia./FaktePlus