Kuvendi nuk tërhiqet nga emërimi i parregullt i “Ftyres” në krye të KPCVA-së
Me gjithë reagimet e ashpra të ambasadave të huaja, për emërimin e Naser Shalës në pozitën e drejtorit të Sekretariatit ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (KPCVA), institucionet e vendit nuk kanë marrë mundimin ta hetojnë ose së paku të rishikojnë procedurat e këtij emërimi se si ka shkuar.
Edhe pas një javë të emërimit të “Ftyres”, në krye të KPCVA-sa, Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës vazhdojnë t’ia hedhin “topin” njëra tjetrës si përgjegjës për këtë çështje.
Zyra e kryeministrit të Kosovës në një përgjigje të shkruar për FaktePlus ka dhënë një sqarim të cunguar, duke ia lënë përgjegjësinë e Kuvendit të Kosovës për këtë emërim të pa rregullt.
“Kuvendi e ka votuar, pyetni ata”, thuhej në përgjigjen e dhënë nga Kryeministria.
Ndërkaq sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi ka thënë se këto vendime të deputetëve nuk komentohen nga administrata.
“Administrata nuk i komenton vendimet e Kuvendit e as opinionet publike”, thuhej për përgjigjen me shkrim të sekretarit dhënë për FaktePlus.
Naser Shala me nofkën komandant “Ftyra”, në maj te vitit te kaluar, nuk kishte marrë votat e mjaftueshme për t’u bërë drejtor i Agjencisë për Verifikim e Krahasim te Pronave, ndërsa konkursi ishte rishpallur sërish dhe tani mori votat e mjaftueshme për këtë pozitë.
Ambasadori britanik dha dorëheqje nga bordi i KPCVA-së
Ishte ambasadori Ruairi O’Conell, ai i cili reagoi ashpër ndaj këtij emërimi, duke ju thënë deputetëve të Kuvendit se dështuan të zgjidhnin kandidatin që kishte dalë i pari sipas meritokracisë për këtë pozitë të lartë shtetërore.
Madje ambasadori O’Conell si shenjë proteste dhe revoltimi ndaj këtij vendimi të Kuvendit ka dhënë dorëheqje nga pozita e Shefit të Bordit të KPCVA-së.
“Procesi i dytë, i kryer në një mënyrë transparente dhe meritokratike, identifikoi vetëm një kandidat që i plotësoi kushtet për emërim. Raportet e rekrutimit, të prodhuara nga partneri i implementimit të projektit, u shpërndanë me të gjitha grupet parlamentare në Kuvendin e Kosovës. Fatkeqësisht, javën e kaluar Kuvendi dështoi të emëronte të vetmin kandidat të identifikuar që i plotëson kriteret për emërim, dhe në vend të tij emëroi një kandidat që nuk ishte konsideruar i emëruehëm në bazë të vlerësimit profesional”, thotë Ambasada e Britanisë së Madhe në reagimin e saj dërguar medieve.
Ky veprim, sipas ambasadës, është shkelje e pastër e Memorandumit të Mirëkuptimit mes Ambasadës Britanike dhe Kuvendit të Kosovës.
“Është prerogativë e institucioneve të Kosovës të emërojnë kandidatë të përshtatshëm nga listat e kandidatëve që i plotësojnë kriteret. Megjithatë, me përzgjedhjen e një kandidati që nuk ishte cilësuar i emërueshëm në këtë rast, institucionet kanë treguar jo vetëm mungesë të përkushtimit të zbatimit të projektit tonë të përbashkët, por po ashtu, që është më e rëndësishmja, mungesë të përkushtimit ndaj mandatit dhe punës së KPCVA-së. Vendimi na bën të pyesim nëse shumica e Kuvendit të Kosovës ka vullnetin politik për të zbatuar emërime meritokratike”, ka thënë ambasada më tej.
Christian Heldt: E mrekullueshme! Si do të shkoni kështu përpara?
Edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, ka reaguar lidhur me emërimin e Naser Shalës në krye të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.
Heldt ka shtruar pyetjen se si do të shkojë vendi përpara nëse për deputetët e Kuvendit nuk ka rendësi kualifikimi.
“E mrekullueshme! Pra, nëse kualifikimi nuk ka rëndësi, si do të shkojë ky vend përpara? Ne kemi nevojë për profile më të mira, jo ato me rrjetin më të mirë. Na vjen keq, por kjo gjithashtu tregon edhe për paratë e taksapaguesve në fjalë”, ka shkruar Heldt në rrjetin social.
Philip Kosnett: Deputetët më shumë vlerësojnë nepotizmin se të drejtat pronësore
I ashpër ka qenë edhe reagimi i ambasadorit amerikan Philip Kosnett. Përmes një postimi në Twitter, ambasadori i SHBA-ve në Kosovë është shprehur i zhgënjyer me vendimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Sipas tij, deputetët treguan se më shumë vlerësojnë nepotizmin se sa të drejtat pronësore të qytetarëve të Kosovës.
“Pajtohem me Ambasadën e Britanisë. Jam thellë i dëshpëruar me refuzimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës për të emëruar drejtues profesional në krye të Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës”, ka shkruar ambasadori Philip Konsett në faqen e tij zyrtare në Twitter.