Kuvendi nuk miraton marrëveshjen ndërkombëtare për reformën e sistemit të ndihmës sociale
Me vetëm 75 vota për, Kuvendi i Kosovës dështoi të miratoi marrëveshjen ndërkombëtare për projektin e reformës së sistemit të ndihmës sociale në vend.
E njëjta u konsiderua e nevojshme nga Qeveria Kurti dhe u përkrah edhe nga dy partitë opozitare, PDK dhe AAK, mirëpo u kundërshtua nga LDK-ja.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se vlera totale e marrjes së kredisë për reformë është 47 milionë euro.
“Vlera totale e projektit prite të kap shumën deri në 47 milionë euro dhe do t’i mundësojë Qeverisë së Kosovës që të përmirësojë efikasitetin e asistencës sociale. Përmes testit të varfërisë do të targetohen më mirë shpenzimet e qeverisë të cilat shkojnë drejtë familjeve në nevojë. Si dhe avancimin e integruar të familjeve me asistencë sociale në mënyrë që të krijohen mundësia që të ardhmen të zgjerohet baza e asistencës sociale, në raste të ngjashme sikur kishim tash në krizën e pandemisë”, tha ai.
Deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja tha se ky projektligj ka interes edhe programor, por edhe avancim të shanseve të barabarta për barazinë sociale.
“Ne si grup parlamentar e mbështesim këtë projektligj për arsye se ky projektligj tenton të përmirësojë barazinë dhe rrjetin e sigurisë sociale. Disa prej kompontentave që i ka ky projektligj janë me interes programor dhe avancimin e shanseve të barabarta, por edhe të njëjtën kohë barazi sociale”, deklaroi ai.
Mbështetje ofroi edhe Partia Demokratike e Kosovës, përmes deputetit, Mërgim Lushtaku.