Kuvendi në gjumë, për rreth pesë muaj ka mbajtur vetëm katër seanca plenare
Kuvendi i Kosovës ka harruar se kur ka mbajtur seancë plenare për shqyrtimin dhe miratimin e projektligjeve të cilët janë duke pritur për t’u shqyrtuar dhe miratuar. Këtë vit legjislativi e ka nisur mjaft keq, duke qenë se për rreth pesë muaj janë mbajtur vetëm katër (4) seanca plenare në cilën janë shqyrtuar projektligje dhe propozim vendime tjera. Këtu nuk hyjnë seancat e jashtëzakonshme dhe ato solemne.
Nga 134 projektligje sa kanë qenë në agjendën legjislative, vetëm 18 kane arritur të shqyrtohen dhe miratohen nga ligjvënësit kosovarë. Derisa, në pritje për t’u shqyrtuar janë plotë 68 projektligje të cilat kanë mbetur nga seancat e kaluara, që nuk kanë arritur të shqyrtohen e as miratohen për shkak të mos mbajtjes së seancave plenare. Ndërsa, 48 projektligje tjera janë në procedurë nëpër Komisione Parlamentare.
Në këta rreth pesë muajt e parë të vitit 2019, Kuvendi ka mbajtur vetëm katër seanca plenare dhe atë një me 30 janar 2019, një me 2 shkurt 2019, një me 28 shkurt 2019 dhe seanca e fundit plenare e Kuvendit ka qenë me 7 mars 2019. Këto të dhëna janë të publikuara në platformën “Vota Ime”.
Mirëpo, më aktiv Kuvendi ka qenë në mbajtjen e seancave të jashtëzakonshme, të cilat nuk është se kanë prodhuar ndonjë rezultat që do të ndikojë direkt tek qytetari.
Gjatë këtij fillimviti, legjislativi ka mbajtur plotë tetë (8) seanca të jashtëzakonshme të thirrura kryesisht nga opozita.
Seanca e parë e jashtëzakonshme është mbajtur me 8 shkurt 2019, e cila në rend dite kishte Debatin parlamentar në lidhje me rastin e ngacmimit seksual, përdhunimit seksual dhe abortit të paligjshëm ndaj të miturës dhe përgjegjësinë institucionale të Qeverisë së Kosovës.
Ndërsa, seanca tjetër e jashtë zakonshme ishte me 7 mars 2019, me rendin e ditës, Shqyrtimi i Platformës për dialogun mbi Marrëveshjen përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
Kuvendi u mblodh sërish në seancë të jashtëzakonshme pesë ditë më vinë, me 12 mars 2019, në të cilën në rend dite ishte, Debati parlamentar lidhur me vendimet e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare nga shpenzimet e paparashikuara. Seancë të jashtëzakonshme organi më i lartë ligjvënës mbajti edhe një ditë më vonë, pra me 13 mars 2019, për të debatuar në lidhje me bllokimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Presidenti.
Muaji mars ishte muaj në të cilën u mbajtën me së shumti seanca për faktin se me 22 mars 2019 sërish u thirr seancë e jashtëzakonshme me rendin e ditës, Miratimi i rezolutës lidhur me pezullimin e aktivitetit të kazinove dhe lojërave të fatit dhe plotësim-ndryshimi e ligjit përkatës. Pas gjashtë dite, u thirr seanca tjetër e jashtëzakonshme, me 28 mars 2019, e në po të njëjtën ditë u mbajt edhe seanca tjetër, për gjendjen e krijuar ndërmjet SBASHK-ut dhe MASHT-it.
Gjatë këtyre muajve të parë të vitit 2019, Kuvendi mbajti edhe dy seanca solemne, një me 17 shkurt 2019 për Shënimin e 11 Vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe tjetra me 6 mars 2019,për Shënimin e 21 Vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Mos thirrja e seancave plenare më shpesh për të trajtuar projektligje që janë me interes për qytetarët, është kritikuar edhe nga vet deputetët, por edhe nga shoqëria civile që monitorojnë punën e Kuvendit.
Deputeti i Partisë Socialdemokrate të Kosovës, Frashër Krasniqi, ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, se ligjvënësit nuk po e kryejnë punën e vet.
“Është për çdo kritikë pasiviteti i Kuvendit të Kosovës, aq më tepër kur arsyeja e këtij pasiviteti janë ndër të tjera edhe mungesat e shumta të deputetëve. Deputetët nuk po e kryejnë punën e vetë, e në anën tjetër Kryetari i Kuvendit në vend që të veprojë për t’i thirrur deputetët në përgjegjësi, po sillet papërgjegjshëm duke mos thirrur fare seanca”, tha Krasniqi për FaktePlus.
Mos funksionim normal të organit me të lartë ligjvënës po e shohin edhe shoqëria civile. Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se mos mbajtja e seancave plenare tregon se Kuvendi nuk po e zhvillon një punë të mirëfilltë.
“Kuvendi këtë vit është në vazhdën e mos funksionimit normal dhe mos realizimit të duhur të punës sepse kemi parë që nuk ka punë të mirëfilltë në Kuvend kur bie fjala të organizimi ose mbajtja e seancave plenare. Ka pika të shumta që nuk janë përfunduar përkundër faktit që kanë filluar tash e sa muaj. Nëse marrin dhe shohim efikasitetin e Kuvendit seancat e jashtëzakonshme e kanë ngadalësuar punën e Kuvendit sepse shpesh kanë ndërhyrë në rendin e ditës”, theksoi Murati për FaktePlus.
Ai shton se karakteristikë e këtij viti që po e përcjellë punën e Kuvendit, është edhe dështimi i mbledhjeve të komisioneve për shkak të kuorumit.
Murati ka numëruar edhe një mori faktorësh që kanë bërë që Kuvendi këtë vit të mos zhvillojë punë normale dhe të ketë kaq pak seanca plenare.
“Determinuese për zhvillimin e jetës parlamentare në Kuvend janë bërë faktorë të ndryshëm nga opozita dhe mënyra se si e kushtëzojnë koalicionin qeverisës për të quar përpara çështje të ndryshme, sepse tani është e ditur që mungon shumica parlamentare në Kuvend. Pra koalicioni qeverisës nuk e ka shumicën parlamentare dhe kësisoj gjithçka, edhe një ligj me shumicë të thjeshtë duhet të merret parasysh edhe kërkesa e opozitës, në këtë rast PSD-së, e normalisht kjo e ka ngadalësuar jetën parlamentare. Në anën tjetër edhe jo serioziteti i deputetëve, grupeve parlamentare dhe kryetarit të Kuvendit, kryesisë së Kuvendit, po ndikon direkt në mos mbajtjen e seancave”, është shprehur Murati.
Aktualisht koalicioni qeverisës po përballet me problemin e numrave në Kuvend pasi deputetët e Listës Serbe ka kohë që nuk po e përkrahin në Kuvend, derisa, kushtëzime për t’i votuar projektligje të caktuara koalicionit qeveritar po i vë Partia Socialdemokrate e Kosovës./FaktePlus