Kuvendi blen 500 termosa dhe 500 maica për Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë
Sikur në shumë vende të ndryshme të botës edhe në Kosovë ka disa vite që ka nisur e po shënohet me aktivitete Dita Ndërkombëtare e Demokracisë. E për organizmin e aktiviteteve që do të mbahen më 15 shtator, Kuvendi i Kosovës, ka planifikuar të ndaj 3 mijë e 400 euro.
Kanë mbetur edhe një muaj nga Dita Ndërkombëtare e Demokracisë, e cila shënohet çdo 15 shtator, ashtu siç është përcaktuar vite më parë nga Kombet e Bashkuara.
Në fakt, 15 shtatori është përcaktuar në vitin 2007, me rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila inkurajon qeveritë që të forcojnë programet kombëtare për promovimin dhe konsolidimin e demokracisë.
Kjo ditë ka disa vite që po shënohet edhe në Kosovë. E për aktivitetet që do të mbahen sivjet për Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, Kuvendi i Kosovës ka planifikuar të ndaj 3 mijë e 400 euro.
Për këtë çështje Kuvendi tashmë ka hapur edhe tender.
Sipas dosjes së tenderit, kërkohen 500 copa termos alumini me 500 mililitra si dhe me logo kolor të Kuvendit dhe dizajn përkatës për Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, shkruan Agjencia e Lajmeve FaktePlus.
Veç kësaj në tender specifikohet edhe furnizimi 500 maica të madhësive dhe ngjyrave të ndryshme.
Kërkohen 100 maica të madhësisë L dhe me ngjyrë të bardhë, mandej 200 maica me ngjyrë të verdhë dhe me madhësi M, si dhe 200 maica tjera me ngjyrë të kaltër të madhësisë S.
Në këtë tender është paraparë edhe furnizim me tendë me përmasa 4m x 10m dhe 15 tavolina (me qira).
E shpeshherë në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, Kosova është kritikuar se nuk ka të arritura të duhura në këtë fushë dhe se ka ende nevojë për zhvillim demokratik.
Sipas Kombeve të Bashkuara, Demokracia është një “vlerë universale që bazohet në shprehjen e lirë të vullnetit të njerëzve për të përcaktuar sistemet e tyre politike, ekonomike, sociale dhe kulturore, si dhe ndikimin që ato kanë në të gjitha aspektet e jetëve të tyre”./FaktePlus