Kushtetuesja vendos, në Prishtinë nuk do të ketë përsëritje të zgjedhjeve
Shpend Ahmetit nuk i rrezikohet posti i kryetarit në komunën e Prishtinës. Kjo për faktin se Gjykata Kushtetuese pritet të publikojë vendimin e saj në favor të kreut të kryeqytetit, si përgjigje në ankesën që ka shtruar ish- kandidati i LDK-së, Arban Abrashi.
Burime të Agjencisë së Lajmeve FaktePlus kanë treguar se Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejt Shpend Ahmetit për çështjen e zgjedhjeve në Prishtinë.
Siç kanë thënë burimet brenda Kushtetueses ankesa e Arban Abrashit për t’u përsëritur zgjedhjet është refuzuar dhe shpejt do t’iu kumtohet palëve.
“Zgjedhje nuk do të ketë në Prishtinë. Kushtetuesja ka marrë vendim dhe të drejtë i ka dhënë Shpend Ahmetit. Kështu në Prishtinë nuk do të ketë përsëritje të zgjedhjeve”, ka treguar ky burim.
Në fund të muajit mars të vitit 2018 ish- kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e LDK-së, Arban Abrashi, e kishte çuar në Kushtetuese zgjedhjen e Shpend Ahmetit për kryetar të kryeqytetit, për të vlerësuar procesin e zgjedhjeve në raundin e dytë të balotazhit në Prishtinë.
Abrashi kishte thënë se vendimi ka ardhur pas një pune disa mujore me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, duke u bazuar në dy nene ku pretendon se janë shkelur.
“Pas një punë disa mujore të ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë, i cili ka qenë në bashkëpunim me një universitet, e kemi dërguar në kushtetuese për vlefshmërinë e rundit dytë. Jem bazuar në dy nene të kushtetuese ku mendojmë se janë shkelur gjatë këtij procesi”, kishte thënë Abrashi.
Shpend Ahmeti i cili në zgjedhjet e vitit 2017 garoi me Lëvizjen Vetëvendosje, fitoi në raundin e dytë mandatin e dytë si kryetar i Prishtinës, me një diferencë fare të vogël. Madje, fituesin e kishin përcaktuar votat me kusht, ato me postë dhe personave me aftësi të kufizuara.
Ahmeti nga këto kishte marrë 861 vota, kurse Arban Abrashi 733, derisa 19 fletëvotime ishin shpallë të pavlefshme. Me këto vota, Ahmeti në total kishte marrë 41 mijë e 401 vota, ndërsa, Abrashi kishte marrë 41 mijë e 164 vota./Fakteplus