Kushtetuesja e publikon të plotë vendimin e saj për dekretin e presidentit Thaçi
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ditë më parë bëri të ditur se dekreti i presidentit Hashim Thaçi, për ta mandatuar Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës për postin e kryeministrit, është në përputhje me Kushtetutën dhe se mocioni i mosbesimit ndaj në qeverie në Kuvend nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit.
E sot Gjykata Kushtetuese e ka publikuar të plotë në ueb-faqe vendimin e saj lidhur me dekretin e presidentit Thaçi, ku mes tjerash thuhet se dekreti është në përputhje me Kushtetutën.
“Gjykata, vendosi: (i) njëzëri që kërkesa e parashtrueseve të kërkesës është e pranueshme; (ii) njëzëri që Dekreti i kontestuar i Presidentit është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës, duke konstatuar rrjedhimisht, që votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të Kuvendit ndaj Qeverisë, nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit dhe mundëson formimin e një Qeverie të re në pajtim me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës; (iii) me shumicë që Dekreti i kontestuar është në përputhshmëri me paragrafin (14) të nenit 84 [Kompetencat e Presidentit] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 4 të nenit 95 të Kushtetutës; (iv) njëzëri që të shfuqizohet masa e përkohshme e përcaktuar përmes Vendimit të 1 majit 2020; dhe (v) njëzëri që të refuzohet kërkesa për seancën dëgjimore”, thuhet në vendim.