Kush synon votat e të burgosurve, ku dhe si voton kjo kategori e shoqërisë
Tashmë kur data e mbajtjes së zgjedhjeve po ofrohet, partitë politike kanë filluar të bëjnë fushatë dhe po flasin për program qeverisës, por ende nuk kanë specifikuar se çka do të bëjnë për secilën kategori të shoqërisë. Ende asnjëra nga partitë dhe liderët nuk kanë treguar se çka do të bëjnë konkretisht për një numër të konsiderueshëm të votuesve, siç janë të burgosurit, personat me nevoja të veçanta, si dhe pjesëtarët e policisë.
Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës do të mbahen më 6 tetor të këtij viti, por jo të gjithë personat do të shkojnë nëpër vendvotime, pasi disave do t’u shkojnë kutitë e votimit aty ku janë duke qëndruar, qoftë në shtëpi, spital, apo edhe në burgje.
Këtë e kanë konfirmuar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus zyrtarë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), të cilët thonë se dërgimi i ekipeve mobile në adresa të ndryshme për të votuar kategori të caktuara, mbështetet në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme.
Në qendrat korrektuese, qendrat e paraburgimit dhe në burgun e Sigurisë së Lartë do të organizohet procesi i votimit për të burgosurit në ditën e zgjedhjeve, 6 tetor. Nga kjo kategori pritet që të votojnë rreth 1500 persona.
Ndonëse ende nuk ka filluar regjistrimi i tyre për pjesëmarrje në votim, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kanë bërë me dije se regjistrimi do të bëhet nga data 25 shtator deri më 1 tetor.
Ani pse për sigurinë dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve do të përkujdesen edhe pjesëtarët e policisë, këta të fundit do të votojnë po në këtë ditë dhe nëpër qendrat e rregullta të votimit.
KQZ ka vendosur që votimet me postë, të fillojnë nga data 18 shtator e që do të zgjasë deri më 4 tetor.
Kurse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u mundëson Personave me Nevoja të Veçanta që të votojnë në ditën e zgjedhjeve, duke mos shkuar në vendvotim, por duke ua dërguar ekipin mobil në shtëpitë apo adresën që kanë kërkuar.
Në Votues me Nevoja të Veçanta bëjnë pjesë këto 3 grupe votuesish:
-
- votuesit e ngujuar në shtëpi: votuesit me zotësi juridike të cilët nuk mund të dalin nga shtëpitë e tyre për të votuar personalisht në vendvotimin e zakonshëm për shkak të paaftësisë fizike, shëndetësore ose çfarëdo paaftësie tjetër;
-
- votuesit me lëvizje të kufizuar në ndonjë institucion: votuesit me zotësi juridike në hospitalizim, njerëzit e moshuar në shtëpitë e caktuara veçanërisht për të moshuarit, personat me aftësi të zvogëluar mentale në institucionet e kujdesit shëndetësor, të burgosurit në burgje dhe të paraburgosurit në qendrat e paraburgimit, ose
-
- votuesit në rrethana të veçanta: votuesit me zotësi juridike që jetojnë në bashkësitë, të cilët për shkak të zhvendosjes nga vendi afër vendvotimit të tyre të rregullt ose për shkaqe sigurie, nuk mund të votojnë në vendvotimin e tyre të caktuar.
Kujtojmë se në zgjedhjet e parakohshme të vitit 2017, numri i votuesve me nevoja të veçanta ka qenë 2 mijë e 330 persona, ndërsa vetëm numri i votuesve nga qendrat e paraburgimit dhe qendrat korrektuese ka shkuar deri në 1 mijë e 572 persona./FaktePlus