Kush po kërkon nga Qeveria që të respektohen të drejtat e shërbyesve civil
Kryesia e Federatës së Sindikatave të Shërbyesve Civilë (FSSHC), të premten, mbajti mbledhjen e radhës ku është diskutuar rreth zhvillimeve të fundit të procesit të fuzionimit të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Në komunikatën e FSShC-së thuhet se pas shumë shkresave dhe shqetësimeve të shërbyesve civilë rreth procesit të fuzionimit të ministrive me emërtime të reja, kryesia e FSSHC-së ka diskutuar rreth kësaj gjendje e cila tashmë është bërë preokupim për nëpunësit civilë, të cilët kanë dilema rreth raportimeve dhe qartësimeve të përgjegjësive të tyre.
“FSSHC-ja kërkon që sa më shpejt të bëhen të qarta detyrat dhe përgjegjësitë e nëpunësve civilë tek institucionet e që do të fuzionohen, në mënyrë që të mos krijohet konfuzion në mes nëpunësve dhe njësive organizative. Lidhur me këtë proces, FSSHC-ja edhe njëherë shpreh gatishmërinë për t ë dhënë kontributin e vet, që procesi i fuzionimit të ish-ministrive të realizohet me sukses dhe pa asnjë cenim të të drejtave të shërbyesve civilë, duke u bazuar çdo herë në normat ligjore. Për më tepër, FSSHC-ja do të angazhohet dhe do të jetë gjithherë e përkushtuar për avancimin e pozitës dhe mbrojtjen e të drejtave të nëpunësve civilë në institucionet e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë./FaktePlus