Kush po gatuan për xhudistët e izoluar në Pejë
Driton Kuka është kujdesur që ekipi i Kosovës në xhudo të ushtrojë së bashku edhe në kohë të pandemisë së koronavirusit.
Ekipi i Kosovës në xhudo po qëndron në karantinë në Pejë, përkatësisht në sallën e klubit Ippon. Të izoluar në sallë dhe në një objekt afër saj janë 11 persona, që nuk kanë thuajse fare kontakt me persona të tjerë.
Kjo nënkupton se dikush nga xhudistet duhet të përgatis ushqimin për gjithë ekipin. Xhudistja Nora Gjakova ka treguar të premten për Koha.net se si e kanë rregulluar çështjen e ushqimit.
Në karantinë në Pejë po qëndrojnë sportistët bindshëm më të mirë në vend ku përfshihen Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Akil Gjakova, Loriana Kuka e disa të tjerë. Sportistët e trajnerit Driton Kuka kanë fituar krejt çka mund të fitohet në sport, ndërsa kanë pretendime për shumë suksese tjera.
Në këtë kohë pak sportistë e kanë luksin për të stërvitur së bashku dhe nën urdhra të trajnerit. Kërkesa për izolim, si mjeti kryesor për të penguar përhapjen e koronavirusit, ka bërë që sportistët në gjithë botën kryesisht të ushtrojnë të vetëm në shtëpitë e tyre.
“Për fat të mirë neve na është dhënë mundësia që të ushtrojmë edhe në këtë kohë të izolimit. Pos në ushtrime kohën e kalojmë duke përgatitur ushqim, duke luajtur ndonjë lojë futbolli së bashku me Tonin. Po ashtu lexojmë libra, shikojmë filma, rrimë në telefon. Në fakt nuk kemi edhe shumë kohë të lirë. Ushtrojmë dy deri në tri herë në ditë”, ka thënë Nora Gjakova për Koha.net.
Tre xhudistë janë të vendosur në katin e dytë të sallës së xhudos. Ndërkohë xhudistet qëndrojnë në një objekt pranë sallës së ushtrimeve.
Nora Gjakova ka treguar se ushqimin e përgatisin vetë xhudistet.
“Të gjitha shpenzimet gjatë kohës sa jemi në karantinë i mbulon federata, duke përfshirë edhe ushqimin. Ushqimin e përgatisim ne vajzat që jemi këtu në karantinë. Gjatë javës na sjellin ushqim edhe nga shtëpia”, ka treguar Nora Gjakova, që ka plot pesë medalje evropiane, duke përfshirë një të artë.
Në mesin e xhudisteve nuk ka një që është përgjegjëse për ushqim.
“Që t’i ndajmë detyrat në mënyrë të barabartë, po mundohemi që secila të përgatisim me radhë. Djemtë i kemi privilegjuar. Ata e kanë për detyrë të bëjnë furnizimin me ushqim, një herë në javë”.
Xhudistët janë në javën e tretë në izolim, ndërsa nuk presin që karantina do të përfundojë shpejtë. Koha në izolim u ka shërbyer që të mësojnë gjëra të reja edhe rreth gatimit.
“Ajo që e ka radhën për të përgatitur ushqimin, vendos se çka do të përgatit. Sot për drekë, për shembull, kemi pasur mish të pulës dhe oriz. Nuk ka pasur ankesa deri më tani, të gjithë janë të kënaqur me ushqimin që po e përgatisim”, ka treguar Nora Gjakova.
“Është java e tretë që po qëndrojmë në karantinë. Deri më tash edhe kush nuk ka ditur fare të gatuaj, është mësuar pak. Po e shfrytëzojmë rastin që nuk kemi gara afër për të shijuar edhe ushqimin tonë tradicional. Por kryesisht i përmbahemi dietës së duhur për ne xhudistët”.
Nora Gjakova është në mesin e 11 personave të izoluar në sallën ku “prodhohen” kampionët e xhudos.
“Nuk e dimë kur do të përfundoj kjo periudhë. Shpresojë që mos të zgjatë më tepër se një muaj”, thotë ajo./Koha.net