Kush i bëri bashkë Hashim Thaçin e Ramush Haradinajn
Dialogu Kosovë -Serbi i ka përplasur shpesh Presidentin Hashim Thaçi e Kryeministrin në detyrë Ramush Haradinaj. Por, tash që Haradinaj me një këmbë është në opozitë edhe tjetrën në pushtet ka vendosur që t’i dalë në ndihmë Hashim Thaçit, pikërisht në këtë proces. Zyrtari i afërt me Pal Lekajn, Drejtori i Aviacionit Civil Eset Berisha, ka nënshkruar marrëveshjen si i deleguar i Pal Lekajt, i njohur edhe nga rasti i gylenistëve.
Ramush Haradinaj dhe Hashim Thaçi kanë bërë titujt kryesor të mediave gjatë vitit 2018 duke u përplasur e akuzuar për bisedimet Kosovë -Serbi.
Haradinaj ka akuzuar shpesh Thaçin se ka shtyr përpara opsionin e ndarjes. Ndërsa vetes i ka lënë merita se këtë dialog e kishte ndërprerë duke ia hequr nga dora Thaçit e Vuçiqit e Mogherinit e duke ia kthyer Angela Merkelit.
Por, pikërisht Haradinaj sot ka konfirmuar se ka qenë pjesë e ndërmarrjes së fundit diplomatike të udhëhequr nga Richard Grenell emisari Presidentit Trump për bisedimet Kosovë – Serbi.
Haradinaj, pas lajmit për marrëveshjen reagoi ndaj kësaj ngjarjeje, duke e quajtur hap gjigant, e duke mohuar se ajo nuk nënkupton heqjen e taksës.
Pala kosovare në Berlin u përfaqësua nga Drejtori i Aviacionit Civil, Eset Berisha.
Ai ka deklaruar se në Berlin ka qenë i deleguar i Ministrit në Detyrë të Infrastrukturës, Pal Lekaj, që është një mik i afërt i presidentit Thaçi. Berisha që fillimisht kishte qenë këshilltar i Lekajt, u rehatua pastaj në pozitë si Drejtor i Aviacionit, Eset Berishën.
Presidenti Hashim Thaçi dhe ministri Pal Lekaj
Në koordinim të plotë në mes të këtij zinxhiri të funksionarëve të lartë në vend të udhëhequr nga presidenti Thaçi është nënshkruar dokumenti dyfaqësh që pritë të implementohet pasi të largohet taksa.
Detaje të mëtutjeshme se si do të bëhet implementimi i kësaj marrëveshje nuk janë dhënë, në fakt ato duhet të përpunohen ende.
Vetë ministri në detyrë Lekaj, që ka dërguar përfaqësues në Berlin ka deklaruar se me këtë marrëveshje Serbia e njeh shtetin e Kosovës e se kjo është një arritje historike.
“Gjithsesi është një hap para për një marrëveshje finale mes dy shteteve, dhe unë mendoj që kjo është një shtytje e këtij procesi që të finalizohet me njohje reciproke. Po sepse pas 21 viteve, kemi një marrëveshje mes dy shteteve që ju e dini deri më tani nuk e ka njohur entitetin tonë apo autoritetin e Aeroportit të Prishtinës dhe pas 21 viteve, Serbia e njeh Kosovën si shtet mund ta quaj, dhe kjo është një marrëveshje historike. Nga kjo marrëveshje përafrohet edhe njohja mes dy shteteve. Kur e them këtë, sepse Serbia ka njohur realitetin e krijuar dhe Aeroportin e Prishtinës si pjesë e Kosovës dhe jo si pjesë e Serbisë siç ka aluduar”, ka thënë Lekaj.
Në fakt, përveç këtij bashkëpunimi Lekaj u raportua se kishte qenë i përfshirë edhe në rastin e deportimit të gylenistëve në mars të vitit 2018-të, për të cilin rast thuhet se ka qenë i mirë i informuar i pari i shtetit.
Kjo kishte bërë që vetë Eset Berisha, atë kohë këshilltar i Lekajt, të përplasej me zyrtarë të AAC-së që kishin kërkuar nga MTI që të jepnin përgjegjësi për këtë temë, pas mashtrimit me kërkim të lejes.
Kompania Birleşik Inşaat kishte kërkuar leje komerciale të fluturimit që iu ishte miratuar nga ministria, e që në fakt doli të ishte një nga skandalet më të mëdha në vend për të cilat ka reaguar edhe Bashkësia Ndërkombëtare.
Pak muaj më vonë, po në Autoritetin e Aviacionit Civil u emërua vetë Eset Berisha, me një vendim të marrë në Qeverinë e Kosovës.
Marrëveshja për korridorin ajror në mes të Kosovës dhe Serbisë është nënshkruar dy ditë më parë në Berlin nga sekretari shtetëror në Ministrinë serbe të Ekonomisë Milun Trivunaç dhe Eset Berisha drejtor i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës.
Në ceremoninë e nënshkrimit ndërmjetësues ishin ambasadori i SHBA-së në Berlin, Richard Grenell që është edhe i dërguar special i presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë-Serbi, si dhe këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien.
Si arritje këtë marrëveshje, përvec institucioneve në vend ashtu e ka cilësuar edhe presidenti amerikan, Donald Trump.