Kush dhe si mund të tërheq 10% të parave, Trusti e dha sot sqarimin e fundit
Ministra nga Qeveria aktuale nën drejtimin e Avdullah Hotit deklaruan ditë më parë se janë duke diskutuar me Trustin Pensional të Kosovës që t’u lejohet qytetarëve një tërheqje deri në 10% e kursimeve, në mënyrë që të kalohet sa më lehtë kriza e ka shkaktuar nga pandemia.
Ky propozim ka ardhur në shprehje pasi mendohet se sado pak kështu do të ndihmohen qytetarët në këtë kohë krize që po kalojnë për shkak të problemeve që solli përhapja e koronavirusit.
“Pandemia shkaktoi dëme të mëdha. Ne duhet të investojmë deri 2.5 miliardë nga buxheti. 70% e bizneseve do të subvencionohen. Po diskutojmë edhe me Trustin për të lejuar tërheqje deri në 10%. Pra po shikojmë mundësinë që gjithkush të shkojë të tërheqë deri në 10% të kursimeve të tij’’, ka thënë në një emision televiziv ministrja aktuale e Financave, Hykmete Bajrami
E pas këtij propozimi që është përmendur edhe nga zyrtarë tjerë të qeverisë aktuale, qytetarë të shumë janë interesuar që të marrin paratë e tyre nga kursimet pensionale.
Mirëpo një përgjigje definitive lidhur me këtë çështje ka dhënë sot Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës.
Ky institucion ka bërë të ditur se deri më tani s’ka asnjë vendim zyrtar sa i përket çështjes se tërheqjes së 10 % nga Trusti dhe se deri më tani askush s’ka të drejtë që t’i tërheq mjetet nga Trusti.
“Të nderuar kontribuues, këto ditë kemi një fluks të madh të mesazheve dhe vizitave për çështjen e 10%-shit, që është deklaruar nga Qeveria e Kosovës se do t’ju lejohet kontribuuesve t’i tërheqin nga Trusti. Ju njoftojmë se nuk ka ende asnjë vendim përfundimtar për tërheqjen e 10%-shit, andaj nuk ka mundësi askush ende t’i tërheq mjetet nga Trusti. Ne do t’ju njoftojmë me kohë për çdo ndryshim. Ju lutemi, po ashtu, të shmangni vizitat në zyrat tona për çështjen e 10%-shit, pasi kështu po vështirësohet tejet shumë shërbimi i kontribuuesve, kjo për shkak të kufizimeve që janë në fuqi nga pandemia e Covid-19”, thuhet në njoftimin e Trustit.
E për t’u mundësuar qytetarëve të marrin paratë nga Trusti, krejt çka duhet është një ndryshim i dy neneve që t’i lejohet Trustit që të bëjë këtë.
“Tani jemi në konsultime me ekspertë nëse Qeveria do të rimbursojë brenda një periudhë të gjithë, apo vetëm disa. Këto do të bëhen me kategori. Ata që kanë 10 mijë do t’i rimbursojmë të gjitha. Ata që kanë mbi 10 mijë po mendojmë t’ju kthejmë 50%. Ndërsa ata që kanë mbi 20 mijë të kursyera, atëherë mund që të mos rimbursohen fare…”, pati deklaruar mes tjerash ministrja Bajrami.
Duhet theksuar se aktualisht ky është vetëm një propozim dhe ende nuk ka asgjë zyrtare, por nëse kjo merr mbështetje dhe miratohet atëherë qytetarët mund të marrin paratë nga Trusti.
Kurse qytetarët me pak punë, mund ta shikojnë online se sa para u janë grumbulluar në Trust si kontributdhënës.
Mjafton që të regjistroheni në sajtin e këtij institucioni, t’i jepni të dhënat e kërkuara dhe brenda 24-orësh, do t’ju jepet qasja në llogarinë tuaj të kursimeve.
Klikoni në këtë link ( https://online.trusti.org/ ) sapo të hapet faqja, klikoni tek kolona “Dua të regjistrohem për llogari në eTrust” dhe pastaj jepni të dhënat e kërkuara, si dhe ngarkoni një kopje të letërnjoftimit, e fotografuar në të dy anët.
Pasi ta keni kryer këtë procedurë, dhe të shtypni në fund butonin “Dërgo”, Trusti ua dërgon një email, në të cilin ndodhet një link ku duhet të klikoni.
Pas kësaj, brenda 24- orësh Trusti do t’ju jap qasje në llogari përmes një njoftimi përmes e-mailit dhe mandej mund të shihni sa para ju janë grumbulluar dhe sa para mudn të tërhiqni nëse vendoset nga institucionet./FaktePlus
Tërheqja e parave nga Trusti – Këtu mund ta shikoni online se sa para i keni