Kush bëhet më i fortë në gjendjen e jashtëzakonshme: Presidenti apo Kryeministri
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se do t’i propozojë në Kuvendin e Kosovës dekretin e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, pas situatës së krijuar me shpërthimin e koronavirusit të ri COVID -19.
Vendimi është marrë pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, i cili mbajti një takim në orët e mbrëmjes më 17 mars.
Por, Qeveria e Kosovës, respektivisht kryeministri Albin Kurti e konsideron propozimin e presidentit për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, si masë ekstreme.
Andaj, kryeministri Albin Kurti dhe Qeveria e Kosovës nuk është pajtuar me presidentin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.
Ndërkaq lidershipi i partive politike kosovare ende nuk është përcaktuar në tërësi nëse do ta mbështesin këtë propozim të presidentit Thaçi.
Eksperti tregon kush bëhet më i “fortë”
Në anën tjetër, njohësit e Kushtetutës thonë se nëse votohet dekreti i presidentit Thaçi për gjendje të jashtëzakonshme, ky i fundit do t’i udhëheq të gjitha masat që do të merren më tutje në vend.
Kështu vlerëson Riza Smaka, i cili sqaron se çfarë ndodhë e kush merr kompetenca shtesë pasi shpallet gjendja e jashtëzakonshme.
“Nëse votohet dekreti për gjendje të jashtëzakonshme, presidenti do të menaxhonte këtë gjendje si person individual, por edhe në bashkëpunim me Qeverinë. Me dekretin ai do t’i ekzekutonte të gjitha veprimet sepse edhe është komandant i forcave të armatosura. Sa i përket të gjitha masave, në kohën e jashtëzakonshme presidenti është personi i cili do të vendoste për to”, ka thënë Smaka.
Ai mes tjerash ka theksuar se për votimin e dekretit për gjendje të jashtëzakonshme nevojitet vota për e shumicës absolute të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
“Kërkohet shumica absolute e votave pro për vendosjen e kësaj gjendje. Kjo mund të zgjasë me muaj, pra mund të zgjasë aq sa janë rrethanat, por jo më shumë se 90 ditë. Por, nëse gjendja vazhdon te jetë alarmante presidenti duhet t’i hyjë prapë procedurave për të vazhduar atë”, tha Smaka.
Kujtojmë se Kushtetuta e Kosovës, përcakton se “nëse ka rrezik ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë publike në Republikën e Kosovës, ose ekziston një fatkeqësi natyrore në tërë territorin e Republikës së Kosovës ose një pjesë të tij, Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me Kryeministrin, mund të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme”.
Mirëpo, si për shumë çështje edhe në këtë pikë nuk kanë gjetur pajtueshmëri presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Albin Kurti./FaktePlus
Këshilli i Sigurisë së Kosovës – Gjendja e ZAKONSHME dhe e JASHTËZAKONSHME