Kusari-Lila: Reciprociteti me Serbinë do t’i sillte përfitime Kosovës
Kryetarja e Alternativës dhe deputetja nga lista e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, po e quan freski zvogëlimin e kabinetit qeveritar duke thënë se kjo ka qenë e nevojshme.
Ajo gjithashtu tha se Qeveria Kurti do të jetë më e mirë në aspektin ndërkombëtar në krahasim me atë të Haradinajt dhe kjo, sipas saj, po shihet qysh në ditët e para të zbatimit të protokollit.
“Zvogëlimi i qeverisë në 15 ministri, pavarësisht se është proklamuar ideja me 12, është freski . Po ashtu, përbërja e kabinetit qeveritar është shumë më e mirë se ne të kaluarën dhe më me rëndësi për mua është pjesëmarrja e grave me 30 për qind. Është hera e parë për Kosovën që ka pesë gra në krye të dikastereve. Gjithashtu përgatitja adekuate është për gati 90 për qind”.
“Mesazhet e Kurtit në këto ditë të para janë të një fryme që tani më s’ka parti dhe se jemi në funksion të qytetarëve. Kjo është shumë e rëndësishme, kjo frymë dhe kohezion që i ka munguar kabinetit qeveritar. Ka qenë për keqardhje një funksionim i shthurur në Qeverinë Haradinaj në mes kryeministrit dhe ministrave”.
Ndërkaq, Kusari-Lila tha se është normale vendosja e flamurit kombëtar në zyrën e Albin Kurtit dhe se një praktikë e tillë ka qenë edhe më parë në shumë zyre shtetërore.
“Unë me Vetëvendosjen kemi pasë dallime me përdorimin e simboleve shtetërore. Unë mbetem institucionaliste dhe përkundër faktit që të gjithë ne e kemi pasë në zemër flamurin kombëtar pas shpalljes së pavarësisë”.
“Në Vetëvendosje jemi pajtuar të kemi mendime të ndryshme. Kurti edhe gjatë fushatës ka qenë i qartë që simbolin shtetëror do ta respektojë dhe po tregon se po e bën. Vendosja e flamurit kombëtar në zyre është praktikë e vjetër. Edhe unë kam mbajtur flamur në zyre si në ministri ashtu edhe në Gjakovë”.
Ndërsa, për heqjen e fotografisë së presidentit Hashim Thaçi nga kryeparlamentarja Vjosa Osmani, tha se nuk është dashur që në këto ditë të para të fokusohet vëmendja në këso tema dhe anashkalohen ato kryesoret.
“Fotografia e Thaçit s’ka qenë aty prej momentit kur Glauk Konjufca ka qenë aty. Ajo ka gjetur vendin e zbrazët dhe e kanë vendosur Rugovën. Mendoj që s’është mirë që me ditën e dytë të konsumohet me këto tema. Këto mund të evitohen nëse e kemi një qasje gjithëpërshirëse. Kjo është bërë për shkak të qëndrimeve të mëhershme të Vetëvendosjes dhe debatet që kanë vazhduar. Kisha dashur të lëvizim në tema që sjellin efektin e mirëfilltë për jetën e qytetarëve”.
Kusari-Lila tha se vendosja e reciprocitetit me Serbinë do të zgjidhte shumë pengesa që ka Kosova me këtë shtet.
“Kur është vendosur taksa fillimisht 10 për qind e më pas edhe 100 për qind i kam rekomanduar Haradinajt reciprocitet dhe ai është dashur të t’i qartësojë synimet që ka dëshiruar të arrijë përmes saj”.
“Me reciprocitet nënkuptohet zgjidhja e problemit të shkëmbimit tregtar, verifikimi i malli. Serbia ka vendosur kushte shtesë për produktet që vijnë nga Kosova për të mos i pranuar ato që u referohen si Republika e Kosovës. Me reciprocitet përfshihet edhe lëvizja e lirë, problemet që ka Kosova për hyrje në Serbi siç janë targat e automjeteve. Ata që dëshirojnë të hyjnë duhet të pajisjen me targa të përkohshme. Gjithashtu njohja e diplomave, studentët që kryejnë studimet në Kosovë nuk mund të gjejnë punë me ato në Serbi. Pra, janë një mori gjërash”.
Deputetja tha se edhe pse vetë Serbia ka nënshkruar marrëveshjet në Bruksel nuk po i zbaton, prandaj ajo mendon që vendosja e reciprocitetit do ta dinamizonte më shumë procesin e dialogut.
“Është dinamizmi i dialogut sepse në momentin që i tregon Serbisë se cilat janë pengesat që për vetë faktin se ata kanë nënshkruar marrëveshje dhe që nuk i zbatojnë. Edhe shtetet anëtare të BE-së vendosin masa të tilla kur kanë probleme të ngjashme”.
Kusari-Lila tha se prej taksës 100 për qind kanë përfituar kompani të caktuara e më së shumti vendet e tjera.