“Kurtit po i mungon guximi, nuk po di çka të bëjë me taksën”
Aleanca Kosovare e Bizneseve ende nuk ka një qëndrim të qartë sa i përket heqjes së pjesshme të taksës ndaj mallrave me origjinë nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini është shprehur se nuk mund të dalin me një qëndrim pasi që as partnerët e koalicionit nuk janë dakorduar për këtë çështje.
Shahini ka komentuar edhe pjesëmarrjen e disa prodhuesve në konferencën e jashtëzakonshme të së enjtes të kryeministrit Kurti, duke thënë se disa prej tyre ishin edhe të panjohur.
“Disa biznese idividuale që disa kanë qenë të panjohura dhe disa të njohura që kanë pas qëndrim me heq taksën edhe për fatkeq se disa prej tyre thirren në emër që i mbrojnë prodhuesit. Ne ende nuk mundemi te reagojmë sepse ende nuk ka vendim. Por nisur nga fakti që edhe ambasadori Grenell mbrëmë ka reaguar se nuk e pranon një të tillë edhe nga partneri i koalicion që nuk pranon diçka të tillë sepse kjo është gjysmake për ti ikur përgjegjësisë”, thotë ai.
Por Shahini mbron qëndrimin që taksa ka pasur efekte pozitive dhe thotë se para se të largohet duhet të bëhet një studim ekonomik, por edhe një harmonizim qëndrimesh me partnerët ndërkombëtarë.
“Taska për fat të mirë ka prodhuar efekte pozitive, tash kur duhet të hiqet taksa mendoj që duhet prapë një studim i thellë ekonomik politik me partnerët vendor e ndërkombëtar duke i harmonizuar qëndrimet dhe duke parë se cilat janë profitet e Kosovës në rend të par si shtet dhe më pas si ekonomi”.
“Rritja e prodhimeve serbe do të jetë enormë e madhe për asryse se ata do të subvencionojnë çmimet dhe qytetarët tanë të varfër nuk do të kanë mundësi dhe do të konsumojnë produkte të ndryshme e që për një afat të shkurtë ne do të kemi shumë më shumë import nga Serbia se sa që kemi pas më herët”, tha ai, për eo.
Shahini thotë se mbetet i habitur me ndryshimin e qëndrimeve te Kurtit, ndërsa shton se ai nuk po ka guxim as ta heq taksën e as ta mbajë atë.
“E kemi prit se qeveria Kurti do të ndryshon qëndrimin nga ajo që është thënë më herët edhe ka qenë vendim i pritshëm sepse e kemi ditë që ai as nuk ka fuqi ta mban taksën dhe tash nuk po ka fuqi as ta heq taksën krejtësisht. Kjo është diçka për t’u shqetësuar për opinion publik për shkak se ai ka premtuar shumë gjëra që do të bënë për vendin për ekonominë duke thënë se taksa nuk do të hiqet asnjëherë por përkundrazi do të qitet reciprocitet i fortë në të gjitha fushat por ne e pamë se tash ai nuk është duke i qëndruar premtimeve të veta”, përfundoi ai.