Kurti viziton në RTK pa paralajmërim, flet me Drejtorin e Përgjithshëm
Pas përplasjeve të ditëve të fundit Kryeministri Albin Kurti ka shkuar në objektin e Televizionit Publik. E ka takuar Drejtorin Gjeneral të RTK’së, Ngadhnjim Kastratin. Për këtë vizitë s’kishte njoftuar Qeveria dhe as Vetëvendosje.
RTKlive shkruan se Kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe anëtarët e kabinetit qeveritar kanë vizituar RTK-në ku janë pritur nga drejtori i përgjithshëm, Ngadhnjim Kastrati.
Kurti shoqërohej nga ministrat Bislimi, Vitia, Hajdari, Bajrami dhe zëvendësministrja Hoxha.
Gjatë diskutimit të tyre u fol për bashkëpunimin sa më të mirë në kohë pandemie me qëllim të informimit të drejtë të qytetarëve.
Radio Televizioni Publik i Kosovës u vlerësua për kontributin që po jep në mbështetje të mësimit në distancë dhe për pandeminë.
Delegacioni qeveritar më pas vizitoi ambientet e RTK-së për të parë kushtet në të cilat zhvillohet puna aty.