Kurti u përkul para varrit të Rugovës, ja çka thotë Lutfi Haziri
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, që kishte qenë më i zëshmi që Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, të shkojë për nderime te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, ka deklaruar se e vlerëson shumë që sot delegacioni qeveritar e ka respektuar themeluesin e Republikës.
Haziri thotë se besimi në një person dhe nderimi për të është vlerë, teksa tregon se e vlerëson që qeveria ka bërë nderime te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugovës.
“Kur beson në dikë edhe nderimi është vlerë! E vlerësoj shumë që sot delegacioni qeveritar respektoi themeluesin e Republikës tonë”, ka deklaruar Haziri.
Nënkryetari i LDK-së, Haziri kishte qenë më i zëshmi sa i përket qëndrimit të LV-së për ish-presidentin Rugova, derisa kishte deklaruar se është kusht i patejkalueshëm mes dy partive raporti i Albin Kurtit me figurën e Ibrahim Rugovës.
Ai kishte deklaruar se janë pjekur kushtet politike që Vetëvendosje të nderojë figurën e Rugovës.
Kurti ka përkujtuar këtë vit figurën e Rugovës përmes një shkrimi të gjatë në Facebook.