Kurti tregon se a do e lëshojë karrigen e kryeministrit nëse formohet Qeveria e re
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se vendimi i presidentit Hashim Thaçi, që t’ia japë mandatin për formimin e qeverisë së re cilësdo parti apo koalicion që dëshmon se ka shumicën në Kuvend është antikushtetues.
Lideri i Vetëvendosjes, ka thënë se çdo vendim të Thaçit në këtë drejtim do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.
Por i pyetur se nëse vjen deri te krijimi i Qeverisë së re a do ta lëshojë karrigen e kryeministrit, Kurti ka thënë se zgjedhjet janë mundësia e vetme që të ketë qeveri të re.
“Qeveria e re do të formohet vetëm pas përfundimit të pandemisë dhe mbajtjes së zgjedhjeve të reja. Situata aktuale nuk lejon mbajtjen e zgjedhjeve por sapo të krijohen kushtet pas tejkalimit të pandemisë. Dy herë kam kërkuar përgjigje me shkrim nga Thaçi, akoma nuk kam marrë. Nuk ka asgjë kushtetuese e legjitime në këso veprimesh të presidentit. Nuk ka ai kompetenca për këtë. Duke u munduar të na rrëzojë ne është duke e rrëzuar veten. I kanë mbetur edhe disa muaj mandat dhe po përpiqet ta kapë trenin e fundit. Por i ka ikur”, u shpreh ndër të tjera Kurti.