Kurti: Borrelli ka ndryshuar deklaratë, jo ne

Kryeministri Albin Kurti ka instituar se Qeveria nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket targave ilegale që qarkullojnë në veri të vendit, por sipas tij, përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka ndryshuar deklaratë çka ka mundësuar arritjen e dakordimit të mërkurën.
Kurti në seancën e Kuvendit ka thënë se ajo që u arrit të mërkurën nga pala kosovare dhe ajo serbe nuk është marrëveshje, por një dakordim.
“Të hënën më është ofruar një dokument si dakordim i përbashkët i cili ka pasur 95 fjalë, dhe fjalët Francë e Gjermani s’kanë qenë askund. Nuk i referohet propozimit franko-gjerman, përveç çështjes së targave te çështja e këtij propozimi. Nuk thuhet propozimi, por thuhet se do zgjidhet çështja e targave sipas atij propozimi, pa thënë franko-gjerman, 95 fjalë. Ndërsa, kjo mbrëmë që u dakordua i ka 194 fjalë”.
“Nuk është marrëveshje, është një dakordim sepse shikoni çfarë thotë në titull, është deklaratë e Borrellit. Ajo çfarë është bërë mbrëmë, është ndryshuar deklarata e Borrellit, ne nuk kemi ndryshuar qëndrim, Borreli ka ndryshuar deklaratë dhe kjo është shumë mirë. Marrëveshja e mbrëmshme nuk është marrëveshje për targat. Nuk do bëjmë gjobitje për targat KM dhe do t’i japim hapësirë negocimit propozimit evropian që më herët quhej franko-gjerman”, ka theksuar Kurti.
Kurti ka shtuar se qëllimi ka qenë që propozimi franko-gjerman të futej si çështje bisedimi në Bruksel për normalizimin e marrëhdënieve me Serbinë.
“Qëllimi ynë ishte që propozimi franko-gjerman për normalizim, përmes një marrëveshje ligjërisht të obligueshme të bëhet çështja e bisedimeve në Bruksel drejt arritjes së një dakordimi i cili shteti tonë që është normal e demokratik ia bashkëngjit edhe një raport normal me Serbinë. Ishte e qartë nga deklarata e zvpresidentit të Komisionit Evropian, Borrell, se një gjë e tillë nuk ishte përfshirë në diskutimet e ditës së hënë, tash ajo figuron saktësisht dhe me status të qartë në paragrafin e parë. Nuk ka qenë në ditëne hënë, në tekstin që më është ofruar mua. Për herë të parë dialogu hyn në një fazë të negocimit mbi kornizën e përgjithshme që do t’i zgjidhë problemet fundamentale nga prizmi I të drejtës ndërkombëtare”.
Kurti ka deklaruar se çështja e targave ka qenë teknike, por pasojat e një të tille kanë mundur të jenë politike.
“Çështja e targave është teknike e administrative, por duhet ta pranoj se në shtatorin e vitit të kaluar ne kemi filluar të mos e trajtojmë si çështje teknike prej kur ambasadori rus në Beograd erdhi në Jarinjë e Bërnjak që të inspektojë grumbullimin e trupave serbe e lart në ajër e ngritën një avion MIG29. Kjo njëmend për targa është dhe është teknike, por pasojat janë edhe më shumë se politike. Prandaj jam dakorduar që pika aktuale në dialog të jenë çështjet aktuale”.