Kurti thotë se LDK-ja iu nënshtrua Grenellit
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar ish-partneren e koalicionit, Lidhjen Demokratike të Kosovës, për gjunjëzim para Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kurti ka thënë se LDK’ja e Isa Mustafës iu nënshtrua të dërguarit të posaçëm të presidentit amerikan, Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.
Sipas Kurtit, Grenell shtoi trysninë më shumë ndaj palës shqiptare sesa ndaj asaj serbe.
“Grenell pati thënë se do të ndalet çnjohja nga Serbia kur të hiqet tarifa, mirëpo ndryshoi kur shkoi në Beograd”, ka thënë Kurti në Euronews Albania.
“Ai filloi ta shtojë trysninë ndaj partnerit tonë në qeveri, derisa ata u dorëzuan e u nënshtruan”, ka deklaruar shefi në detyrë i ekzekutivit kosovar.
“Për mua kjo nuk do të thotë asgjë për SHBA’në, bëhet fjalë për një emisar shumë të fuqishëm, por unë nuk kam pranuar të vë në pikëpyetje interesin e Kosovës”, ka thënë Kurti.