Kurti: Thaçit i ka ikur treni, duke u munduar të më rrëzojë mua, do ta rrëzojë veten
Kryeministrti në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se Presidenti i Kosovës është figurë pasive politike.
“Presidenti si organ kushtetues i jep të drejtën që të përmbushë vetëm një veprim – shpërndarjen e Kuvendit në përputhje me nenin 82.2”, ka thënë Kurti në konferencë.
“Zgjedhjet janë opsioni i vetëm, janë theksuar edhe nga vet Presidenti në vitin 2010 nga ai vet, po e citoj: “Sot besoj se do të votoni drejt duke i dhënë fund krizës për të dalë në zgjedhjet e reja për të rimarrë besimin e qytetarëve””.
Kurti ka theksuar se e ka të paqartë se mbi çfarë po ndërtohet standardi i dyfishtë, sipas tij, që po e thellon vendin në një krizë tjetër të pasigurisë dhe frustrimit.
“Situata aktuale nuk lejon që të mbahen zgjedhjet dhe ne nuk e kemi kërkuar këtë, por që zgjedhjet të mbahen pas pandemisë Covid-19”.
“Dy herë kam kërkuar përgjigje me shkrim nga Presidenti, akoma nuk kam marrë përgjigje dhe e kam vështirë ta kuptoj logjikën me të cilën po navigon ky president. Duke u munduar të na rrëzojë neve ai po e rrëzon vetën pakthyeshëm. Një klub i stërvjetëruar politikisht sot u deklaruan se nuk janë për zgjedhje nga frika për t’u përballë me vullnetin qytetarë”.