Kurti: Taksa ndaj mallrave serbe zëvendësohet me reciprocitet, për këtë pajtohet edhe opozita
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përsëritur qëndrimin e tij se taksa 100 për qind ndaj mallrave serbe do të zëvendësohet me reciprocitet të plotë.
Këtë deklaratë Kurti e bëri në një konferencë pas takimit që ka zhvilluar me shefen e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.
Ai theksoi se parimi për marrëdhënie konstruktive do të jetë princip pune gjatë qeverisjes së tij.
“Ne nuk i vendosim Serbinë dhe Bosnjën në të njëjtën fjali asnjëherë edhe për shkaqe historike edhe për arsye aktuale. Ne konsiderojmë që jemi këtu ku jemi si qeveri e re edhe për shkak të zotimit tonë që me Serbinë do të kemi reciprocitet politik, ekonomik e tregtar si zëvendësim për tarifën 100 për qind. S’themi se do të kthehemi në marrëdhënie asimetrike, por do ta avancojmë duke shndërruar subjektivitetin tonë në çështje integriteti me parimin që njihet për vlerën e tij në raportet ndërfqinjësore – reciprociteti. Edhe LDK-ja, edhe VV-ja, mbi 60 për qind të votave në Kosovë në mesin e shqiptarëve, ishin me parimin e reciprocitetit. Edhe ata që sot janë në opozitë apo që s’na votuan mund të mos pajtohen me ne për gjëra të ndryshme, por për reciprocitetin janë pro. Këtë parim për marrëdhënie konstruktive do ta ketë princip pune”, ka thënë ai, raporton FaktePlus.
Ndërsa, shefja e Zyrës së BE-së, në Kosovë Natalia Apostolova nuk ka pranuar të komentojë reciprocitetin, por ka thënë që BE-ja ka qenë e qartë duke kërkuar heqjen e taksës dhe se ajo është e interesuar që dialogu Kosovë – Serbi të fillojë sërish.
“Bashkimi Evropian deri në nivelet më të larta ka shpreh qëndrimin e vet. Konsiderojmë që taksa ka shkelur bashkëpunimin ndërkombëtar dhe marrëveshje të tjera. Kemi dërguar letra në këtë drejtim, tani po presim që qeveria e re të dal me propozime dhe ide të reja se si do ta trajtojë këtë çështje. Nuk dëshirojmë ta parashikojmë se si do të jetë zgjidhja”, ka thënë Apostolova./FaktePlus