Kurti sot vizitoi Prizrenin, zyrtari i VV-së shkruan se në këtë komunë po punësohen dostat e kushërinjtë
Në nivelin qendror, Vetëvendosje po akuzohet nga opozita se po punëson aktivistë e zyrtarë të saj nëpër borde e ministri. Por në një qytet që udhëhiqet nga kjo parti, VV nga brenda po akuzohet publikisht se po bëhen punësime të familjarëve të zyrtarëv komunal.
Blerim Saramati, që thotë se është Anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, në një postim në Facebook, ka bërë thirrje të vizitohet Prizreni, siç thotë ai, për ta parë se si po rehatohen në punë kusherinjtë dhe jaranat.
“Nëse doni të njihni karakterin e dikujt… jepini pushtet!
Abraham Lincoln.
Nese doni te shihni se si po punesohen kusherinjet, dostat e jaranat hajdeni ne Prizren.
Nese doni te shihni se po zhvlersohen deri ne perbuzje shumica e aktivisteve perseri hajdeni ne Prizren”, ka shkruar ai teksa e ka shoqëruar me një fotografi të objektit të Komunës së Prizrenit.
Në fakt në Prizren sot ka qëndruar kreu i VV-së, Albin Kurti. Ai vizitoi komunën. Mytaher Haskuka, kryetari i Prizrenit, me këtë rast ka thënë se është i kënaqur me respektimin e masave të Qeverisë nga qytetarët e kësaj komune.
Ai bëri thirrje që të vazhdojnë të i respektojnë edhe në ditët në vijim.
“Keni nderin që kemi këtu kryeministrin Kurti dhe ministren e zhviillimit Rajonal Emilija Rexhepi, këtu në Prizren.
E informuam me punën që po bëjmë si komunë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
E falenderojmë Qeverinë për masën fiskale që kanë marrë – për pakon emergjente.
Jemi të kënaqur me respektimin e masave të qytetarëve të Prizrenit. Kërkoj mirëkuptim nga ta që të vazhdojnë të i respektojnë këto masa pasi është e domosdoshme”, ka thënë Haskuka.