Kurti rehaton njerëzit e VV-së në pozita kryesore të Telekomit
Ndonëse gjatë kohës së opozitës e periudhës së fushatës ishin thirrur në depolitizimin e ndërmarrjeve publike, Vetëvendosja e Albin Kurtit e ka vazhduar avazin e emërimit të bordeve, duke vënë kështu në pozita kyçe të Telekomit, zyrtarë e militantë të kësaj partie.
Para pesë ditësh, Burbuqe Hana u emërua Ushtruese e Detyrës së Kryeshefes së Telekomit.
Hana në këtë pozitë e zëvendësoi Bedri Istrefin, që u shkarkua nga kjo pozitë nga Bordi i emëruar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Më 2016-të, Burbuqe Hana kishte qenë pjesë e protestave të Vetëvendosjes në sheshet kryesore të Prishtinës. Madje, pjesëmarrja e Hanës faktohet edhe nga fotografitë të cilat i ka parë lajmi.net në rrjete sociale.
Lajmi.net ka mësuar se Burbuqe Hana e ka edhe vëllanë të punësuar në Telekom, Burim Hana si dhe gruan e vëllait, Luljeta Maloku Hana.
Foto:
Emërimi i Burbuqe Hanës në Telekom, nuk është i vetmi emërim partiak që ka bërë Vetëvendosje ditët e fundit.
Feim Kelmendi është emëruar po ashtu ushtrues detyre në pozitën e zyrtarit kryesor financiar në Telekomin e Kosovës.
Kelmendi duket se është përkrahës shumë i madh i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe partisë së tij, Vetëvendosje.
Kelmendi madje këtë e shpreh haptazi edhe në postimet që ai bën në rrjete sociale.
Kjo nuk është hera e parë që Vetëvendosje, ende pa i bërë tre muaj në pushtet, 40 ditë prej të cilave në një qeveri në detyrë, bën emërime politike në Ndërmarrjet Publike dhe në bordet e tyre.
Veprime të tilla të partisë së Kurtit, së fundmi ishin kritikuar shumë ashpër për faktin se ishte vet Vetëvendosja ajo që kishte ngritur më së shumti zërin për siç e quanin ata “kapjen” e bordeve.
Madje, Kurti gjatë fushatës elektorale as nuk kishte hezituar që ta nënshkruante një dokument, në të cilin zotohej për depolitizim të bordeve, si dhe emërim të njerëzve profesional.