Kurti: Qeveria e punës, drejtësisë dhe barazisë do të rikthehet shumë shpejt
Kryetari i VV-së, Albin Kurti, ka uruar aktivistet dhe anëtaret për 15 vjetorin e Lëvizjes.
“Mes të arriturave të qeverisjes së mirë, theksoi punën e rëndësishme që kanë bërë gratë që qeverisja të jetë e tillë. Duke iu referuar vullnetit qytetar të shprehur në peticionin që kërkon zgjedhje, ai tha se qeveria e punës dhe e drejtësisë, ajo e barazisë do të rikthehet shumë shpejt”.
Më poshtë mund ta lexoni njoftimin e plotë të VV-së në Facebook:
Gratë përherë kanë qenë të përfshira në Lëvizje, me punën e tyre ato përveç se e kanë shtrirë organizatën në të gjitha skajet e vendit dhe jashtë tij, edhe e kanë siguruar çdo fitore tonën. Sot, në kuadër të Javës së Lëvizjes, zhvilluam një bashkëbisedim online me gratë aktiviste për ecjen e organizatës tonë ndër vite, si dhe për angazhimet e shumta që na presin. Sekretarja Organizative, Vlora Haxhimehmeti, foli për rritjen e numrit të anëtareve ndër vite dhe për forcimin e strukturave tona me pjesëmarrjen e grave aktiviste në to. Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes, ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, përmendi punën e bërë nga organizata, e sidomos gratë brenda organizatës tonë në adresimin e dhunës mbi baza gjinore, dhe për financimin e strehimoreve për viktima të dhunës që ka bërë qeveria Kurti. Ajo shprehu bindjen se kjo punë e mirë do të vazhdoj përmes një përfshirje edhe më të gjerë të grave në Lëvizje. Kryetari, Albin Kurti, uroi aktivistet dhe anëtaret për 15 vjetorin e Lëvizjes, dhe mes të arriturave të qeverisjes së mirë, theksoi punën e rëndësishme që kanë bërë gratë që qeverisja të jetë e tillë. Duke iu referuar vullnetit qytetar të shprehur në peticionin që kërkon zgjedhje, ai tha se qeveria e punës dhe e drejtësisë, ajo e barazisë do të rikthehet shumë shpejtë. Gratë aktiviste nga Qendrat e Lëvizjes në Kosovë, nga Qendrat e Mërgatës dhe Qendra jonë në Shqipëri shtruan shumë ide se si duhet të ecet përpara me organizimin e grave shqiptare kudo që janë, ato e rikonfirmuan gatishmërinë për angazhim edhe më të përkushtuar e dinamik në të ardhmen. Lëvizja VETËVENDOSJE! bashkë me Sekretariatin e Gruas Aktiviste, do ta rris angazhimin për të sfiduar çdo imponim e rëndesë mbi gratë. Kundër pabarazisë dhe diskriminimit dhe për sa më shumë solidaritet e barazi, e sidomos gjinore.